Pse shoqëria duhet ta rregullojë dashurinë?!
Pse shoqëria duhet ta rregullojë dashurinë?!
nga Delina Fico
Fakt: Gjatë dy dekadave të fundit, shumë organizaat jo-qeveritare që punojnë për përparimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave, të fëmijëve, të romëve dhe egjiptianëve, të personave me aftësi të kufizuar, etj, kanë bashkëpunuar me shkollat shqiptare të të gjitha niveleve për të biseduar me nxënësit apo studentët lidhur me të drejtat e njeriut dhe problemet me të cilat përballen grupet që këto organiazata përfaqësojnë. Këtë gjë dhe asgjë tjetër më shumë kanë bërë dhe përfaqësuesit që këto organizata përfaqësojnë. Këtë gjë dhe asgjë më shumë kanë bërë edhe përfaqësuesit e organizatave që mbrojnë të drejtat e personave LGBTI.
Fakt: Dija nuk është kurrë rrezik për askënd. Padija është. Padija ushqen frikën dhe përbuzjen për atë që se njeh, për tjetrin, për një mënyrë mendimi apo jetese të ndryshme nga e jotja. Padija e përçan një komunitet, ushqen dhunë në marrëdhëniet mes njerëzve. Ne si shqiptarë e kemi provuar dhe e provojmë ende në lëkurë këtë gjë. Secili nga ne ka nga një histori personale në këta 27 vitet e fundit, kur është ndier i/e diskriminuar, i/e përbuzur nga një individ , të themi, në një vend të Bashkimit Europian, individ, i cili/ e cila nnuk na njeh dhe e ndërton sjelljen e tij/ e saj bazuar mbi paragjykime negative për ne si shqiptarë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të rinjët të marrin dije lidhur me shqetësimet, problemet dhe të drejtat e grupeve të ndryshme në shoqëri, duke përfshirë komunitetin LGBI, në mënyrë që të rriten si individë që nuk urrejnë, nuk përbuzin, nuk mendojnë ti zgjidhin me dhunë problemet apo diferencat që mund të kenë me njëri-tjetrin apo me të tjerët.
Fakt: Personat LGBTI nuk janë ca alienë që kanë ardhur nga diku tjetër e po na pushtojnë. Ata janë qytetarë të këtij vendi, kontribuojnë si çdo njeri tjetër në jetën e familjes së tyre, komunitetit ku jetojnë apo punojnë, si dhe tël shoqërisë. Ata janë vëllezërit, motrat, fëmijët, prindërit, shokët, miqtë, kushurinjtë dhe kolegët tanë. Dhe këta njerëz që janë mes nesh, shpesh vuajnë diskriminim jo sepse kanë thyer ligjin apo sepse i kanë bërë keq dikujt tjetër, por sepse dashurojnë një njeri të së njëjtës gjini. Po a mund të diskriminosh dikë pse dashuron? Për më tepër, përse duhet ta rregullojë shoqëria se kë dashuroj unë ose ti ose një person LGBTI? Çfarë e keqe i vjen shoqërisë nga mënyra se si personat heteroseksualë ose LGBTI dashurojnë dhe i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre intime? Ndaj, ëshët shumë e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë lidhur me shqetësimet dhe të drejtat e vëllezërve, motrave, prindërve shokëve, miqve dhe kushurinjve të tyre,të cilët janë persona LGBTI.
Fakt: Studime të pafund dhe realiteti i jetës së përditshme të personave LGBTI kanë provuar pa asnjë dyshim se të jesh person LGBTI nuk është ideologji, modë, apo zgjedhje, e aq më pak një sëmundje, por është një nga format e ekzistencës së qenieve njerëzore, pjesë e shoqërisë njerëzore që nga fillimet e veta. Kështu, shanset që një i ri apo e re, i cili merr informacion lidhur me shqetësimet dhe të drejtat e personave LGBTI, të konvertohet në një person LGBTI janë të barabarta me shansin që një i ri, pa asnjë talent muzikor, i cili merr informacion për hisotrinë e operas nga një tenor, të bëhet këngëtar opere.
Kështu që s’ka asnjë arsye për t’u frikësuar apo shqetësuar pse të rinjtë po marrin informacion lidhur me diskriminimin e personave LGBTI dhe të drejtat e tyre. E gjitha kjo është shumë zhurmë për asgjë.
Delina është një prej aktivisteve më vokale për të drejtat e njeriut, e cila ka ndërhyrë në debatin për bullizmin dhe të drejtat e komunitetit LGBT. Debati i fundit rreth sesioneve informuese në disa gjimnaze mbi bullizmin dhe të drejtat e komunitetit LGBTI nuk i ka shpëtuar syrit kritik të aktivistes Fico.
Burimi: Tiranapost.al