Pse njerëzit po inatosen pas ‘’coming out’’ të aktorit Kevin Spacey
Nëse Kevin Spacey do të kishte dalë hapur si gej një vit më parë, reagimet nuk do të ishin si këto të ditëve të fundit.
Për ata që nuk janë në brendësi të çështjes: aktori do të ishte përgëzuar nga shumë persona pasi të dalësh hapur si gej përpara botës e sidomos kur je një aktor Hollivudian i njohur nuk është iniciativa më e lehtë që mund të ndërmarrësh. Por aktori i serialit të mirënjohur “House of cards’’ bëri coming out atëherë kur dolën në dritë akuza për ngacmim seksual të kryera nga aktori në vitin 1986 kundrejt një djali adoleshent.
Anthony Rapp, i cili ishte vetëm 14 vjeç asokohe u rrëfye për median “BuzzFeed” se Spacey e kishte ftuar në një festë dhe dukej të ishte nën efektin e alkoolit kur kishte ndodhur incidenti.
Aktori kërkoi falje nëpërmjet një postimi publik në rrjetin social “Twitter”, duke shkruar: ‘’Kjo histori që po qarkullon tani më shtyn të tregoj për gjëra të tjera rreth jetës sime… unë kam pasur romanca me shumë burra përgjatë jetës sime, dhe kam zgjedhur të jetoj si gej’’.
Që prej këtij postimi publik në llogarinë e tij në “Twitter”, ai është kritikuar pasi ka zgjedhur pikërisht këtë moment për të folur për orientimin e tij seksual – madje disa të tjerë e kanë akuzuar se po përdor seksualitetin e tij si mburojë ndaj reagimeve negative nga opinioni publik që këto aludime kanë sjellë.
‘’Ai nuk mund t’ia hedhë kaq kollaj vetëm se është gej’’ shprehet Josh Rivers, redaktori i sapo-emëruar pranë “Gay Times”.’’Sjellja prej agresori seksual mbetet sjellje e keqe pavarësisht orientimit seksual. Kevin Spacey ka zgjedhur momentin e gabuar për të rrëfyer seksualitetin e tij, sidomos në këtë situatë ku ai akuzohet se ka shfaqur sjellje skandaloze’’.
Linda Riley, botuese e revistës ‘’Diva’’ si dhe bashkëthemeluese e çmimeve ‘’British LGBT’’ u shpreh se ndihet e pezmatuar që aktori zgjodhi pikërisht këtë moment për të bërë publike se është gej duke shtuar: ‘’Ndjeva se po tenton të heqë vëmendjen e publikut nga aludimet për ngacmime seksuale. Ai mund të kishte bërë “coming out’’ vite më parë por nuk e ka bërë një gjë të tillë. është zgjedhja e tij për ta mbajtur diskrete dhe e mirëkuptoj por ai nuk duhet ta bënte tani në mënyrë që të kërkoj falje për atë çfarë ka bërë vite më parë’’.
Kurse Benjamin Cohen, drejtor i gjigandit mediatik “Pink News” thekson: ‘’Mendoj se të bërit publike të orientimit të tij seksual është zgjidhja e vetme që i mbetej aktorit pas bërjes publike të skandaleve seksuale’’.
Pjesa dërrmuese e reagimeve dhe komenteve ka qenë negative, duke shprehur zhgënjimin se aktori nuk vendosi të dali publikisht si gej vite më parë. “Shumë prej nesh që janë pjesë e komunitetit LGBT kanë sakrifikuar kaq shumë që procesi i “coming out” të jetë sa më i lehtë, dhe sigurisht kërkon kurajo, kështu që ky akt duhet përgëzuar si një akt kurajoz, jo si një mënyrë për të dalë nga situata si në rastin e aktorit Spacey’’ thuhet në një prej komenteve në rrjetet sociale./k.m/
Burimi: BBC