Pse NE reagojmë kundër çdo 17 maj!
Nga Sofia Limani
Ndërkohë, si çdo vit, me çeljen e majit, çelin dhe eventet e LGBT, mediat dhe mediumet tona çelen me reagime qëndrestare, kurajoze, dinjitoze dhe të ashpra kundër kësaj bëme skandaloze, me dhe vetëm me arsye të shëndoshë! Në frontin e parë të qëndresës vijojnë një sërë e iluminuar sociologësh, biologësh, historianësh, gjithëçkaditësish, të ndjekur nga turma anonime luftëtarësh, ushtarësh të panjohur, gati të flijojnë dhjetë sekonda të tyre për një kauzë të drejtë!
Kjo qëndresë, që shumëkënd nuk e prek, dhe nuk e dënjon as të shkruajë një koment në facebook, është kauzë atdhetare, që ndryshe njihet me emrin mesiladodaizmi, enkeldemizmi, ivaticoizmi, redishehuizmi, ergysmërtirizmi, juliandedaizmi dhe dikur edhe artanlameizmi (ky i fundit, duhet ta pranoj, ishte më origjinal dhe aventuresk).
Kjo qëndresë, për të gjithë ata përtacë e dembele, është mundësi e artë, për të gjithë NE, ne që jetojmë në një shtet-fshat, ku bëmat tona kanë marrë dheun, ku të gjithë na njohin dhe e dinë që diku, ndoku, ndopak kemi dështuar në misionet tona të moralshme, na e dinë që prindër perfektë s’kemi qenë, as bashkëshortë të tillë, NE tanimë mund të lajmë mëkatet tona, mund të ulërasim uebsajtesh: Të paktën s’jemi gej! S’është shumë, e di, por s’është pak!
NE kemi vendosur më në fund, t’ju sensibilizojmë, t’ju zgjojmë nga gjumi, t’ju ngremë në këmbë, të mbrojmë atdheun, ndaj më poshtë ju rendisim pse duhet dhe ju ashtu si NE të ulërisni kundër LGBT dhe si ta bëni këtë gjë me sukses.
Familja tradicionale e shenjtë shqiptare.
Ky argument, është i dyti më i miri në sojin e vet, sepse së pari prek nacionalizmin e shqiptarit, së dyti prek viktimizimin e shqiptarit, së treti nuk prek as fenë as mendimet e askujt konkretisht.
Nqs dikush ju pyet, ç’është konkretisht familje tradicionale shqiptare: ajo me mblesëri, ajo me shtatë fëmijë, ajo me gruan-gomar? Mos ju përgjigjni, është pyetje me kunjë që ka premisa të besojë se traditë quhet diçka e vjetër, epo s’është kështu! Nqs dikush ju pyet, sa tradicionalë janë çiftet e sapomartuara: ata që s’kanë fëmijë, që punojnë burrë e grua, mos ju përgjigjni prapë. Nqs dikush ju përmend Nazmie Vishën, vajzën e Shukriut, Ylli Pangos, pedofilit të Sarandës, atë 18-vjeçaren shtatëzanë që ju pre koka nga një plak në Durrës, atë gruan e gardistit që u vra, atë gruan në Korçë që një plak e therri dhe e hodhi në plehra ku e hëngren qentë e rrugës, atë gruan që e vrau burri se ja mbylli derën pas shpine, atë gruan që s’e kish ngrohur gjellën sa duhej dhe u vra, dhe atë gruan që s’i dha lekë burrit për raki dhe u vra dhe atë gruan që u trafikua nga burri i vet, dhe atë gruan që u përdhunua nga kushëriri e komshiu, dhe atë gruan …… Uh, listë e gjatë e pavlerë, pastaj kjo s’prek dot shenjtërinë tonë! Ose, prit, ka ca sociologë që ja hedhin fajin demokracisë, po, po, përdoreni si argument, sepse burra mbi 50 vjeç kanë parë demokracinë 25 e sipër, dhe s’i qe formuar ende karakteri dhe personaliteti. Pastaj shto në fund të komentit, se edhe këto gratë s’kanë qenë të mbara shumë jo! Ja dole!
Fëmijët dhe rritja e popullsisë (a.k.a. e mira publike sipas Redi Shehut)
Fëmijët janë argumenti më i mirë, sepse janë të pafajshëm, ndaj tyre kemi prirje të tregojmë përkujdesje, dhe çdokujt i zbutet shpirti nga fytyra e një fëmije.
Nqs dikush ju thotë që një fëmijë jetim, s’është i mangët, as një fëmijë i rritur nga nëna vetëm, as një fëmijë që e ka prindin në emigracion, as një fëmijë që e ka prindin në burg, asnjë nga këta s’është bërë domosdoshmërisht as gej, as kriminel, por fëmijë si gjithë të tjerët, po ashtu, i njëjti fenomen do të ndodhte me fëmijët e familjeve gej. Thuajini një jo të prerë. Nqs ju thonë, hej, ka fëmijë që rriten mirë e bukur nga prindër jobiologjike, dhe fëmija s’ka pasur aq shumë pikëpyetje në kokë, thuajni prapë, thjesht jo.
Ne fëmijët i duam, ndaj duam më të mirën për ta, përveçse kur janë romë, ose kur janë tejet të varfër, këta janë thjesht bezdisës, s’ja vlen as të shkruash për ta. Ne i duam aq shumë fëmijët, sa s’duam t’i rrisim të mangët në bashkësinë e organeve gjenitale të familjes. I duam shumë fëmijet, por jo nënat e tyre kur vriten. Fundja fundit, e mira publike e Redi Shehut është kryer, nëna mitër e kreu funksionin e vetë, tani le të prehet në paqe pas një druri të mirë! Amen/Amin. Ne i duam fëmijët derisa ata bëjnë 18 vjeç: pastaj i dengledisim ne mërgim, trurin dhe krahun e punës, i strapacojmë nëpër universitete mediokre, i mbyllim call centrash, dhe po qenë femra, i përdorim si lodra seksi, dhe pastaj fundi dihet te paragrafi më lart. Zot, sa e shenjtë e tradicionale!
Feja dhe Natyra
Feja është argument i fortë, por dhe thikë me dy presa. Nisur nga fakti që s’jemi popull shumë besimtar, shfaqja e tepërt e fesë kthehet në autogol, psh. Kisha katolike del prononcohet kundër LGBT fiks pas legalizimit të martesave gej në Itali, dhe flet per vlera katolike fiks pas fitimit të Oscarit nga Spotlight. Ne, besimtarët e vërtetë, e përdorim fenë me takt, ose aspak fare, si Ergys Mërtiri ose Redi Shehu, në shkrimet apo fjalimet tona, citojmë çdo kloun të pavlerë perëndimor, sepse e dimë që ata shesin më shumë besim se të tjerët. Po qe nevoja, e nxjerrim nga konteksti citatin, dhe e citojmë, thjesht për të shtuar doza objektivizmi në sytë e lexuesit.
Kur fenë e përdorim me takt, citojmë Evën e Adamin, sepse janë po njëlloj në dy fe, citojmë ndonjëherë dhe fenë e shqiptarit: shqiptarinë, dhe paf, kërcejmë në fillim të artikullit. Kur fenë e përdorim me takt, askush s’ju pyet: Hej, pse fetë tuaja vetëm kundër LGBT qënkan: pse s’ndaloni akloolin, mishin e derrit, plazhin, diskotekat, minifundin? Pse s’kërkoni legalizim të poligamisë? Pse s’kërkoni që gruaja të jetë poshtë burrit siç thotë me Bibël me Kuran? Pse s’legalizoni vrasjen e fëmijës nga prindi, nqs i pari i thotë të dytit jo ose e ofendon, siç thuhet në Bibël? Pse s’legalizoni gjyqin me katër burra ndaj bashkëshortes, vrasjen e jobesimtarit etj, siç thuhet në Kuran? Gjithë këto pyetje të sikletshme krijohen kur ju përmendi më shumë seç duhet fenë.
Nqs dikush ju pyet, po realisht mendon që biologjikisht tërë njerëzimi erdhi nga dy njerëz, thuajini që është simbolikë e Zotit, është tip poeti ai.Pastaj kaloni të natyra, thuajini as kafshët s’bëjnë kështu. Po ju treguan raste konkrete kur kafshët bëjnë kështu, thuajini: pse kafshën marrim për bazë morali ne? Pastaj sillni fundin e botës, fataliteti i mbyll gojën çdokujt. Edhe nqs dikush vazhdon t’ju pyesë, po mirë një steril s’duhet të martohet sipas jush, ka dalë kundër natyrës dhe Darvinit dhe meriton të trajtohet si njeri i dorës së dytë? Mos u përgjigjni, është hile tinëzare.
Referendumi dhe demokracia
Mënyra më e mirë për tu sjellë në publik, është të vësh veten në pozitë inferioriteti, të jesh ti i shtypuri. Në rastin konkret, kjo ka shumë pak sens, ndaj ne i shtojmë rreth e përqark një sërë fjalësh të frikshme: Lob, Axhendë, Minoritet dominues/elitar (???) etj etj. Ky fjalor, i bën ata të ligj dhe ne të mirë. Si hap të dytë, bëjmë daljen e vetshpallur si mazhorancë: ne jemi shumica, shumica është streit, ne vendosim. Pavarsisht se ka dy tri shtete në Europë të paktën, ku kjo gjë ka dështuar, ne mendojmë se jemi në kohë në Shqipëri-rrih hekurin sa është i nxehtë-.
Si hap i tretë, përhapim teorinë e referendumit, dmth ne shumica, por jo shumica dominuese, ne shumica e shtypur nga pakica, se Kristi me Xhenin janë bërë House of Cards këtu, ne, duhet të risjellim demokracinë me referendum. Demokracia vendoset me shumicë-të vendosim me shumicë ndaj kësaj pakice të ligë.
Këtu mund të krijojmë pak konfuzion, sepse kur përmendim Enverin dhe Hitlerin, harrojmë pak demokracinë. Harrojmë që dhe ne me Enverin ose Hitlerin në krye, s’do të komentonim dot as në facebook, as do të vishnim rroba të shtrenjta, as do të linim Shqipërinë ndonjëherë, as do të punonim dot në punë intelektuale, dhe mbase mbase, do të bashkëjetonim paqësisht me gejt në Spaç, ose në ndonjë këpucë me lëkurë njeriu: unë shualli, geji lidhësja.
Po rikthehem te referendumi: Nqs dikush ju thotë që nqs bëhet referendum kundër LGBT, mund të krijojë precedent të frikshëm për të drejtat e njeriut në vend, ashtu siç mosvënia në Kushtetutë e orientimit seksual, mundet, logjikisht të heqë po ashtu dhe fenë, gjininë, etninë etj etj, duke ju sjellë shembuj shumë konkretë: Po hoqëm fenë nga Kushtetuta, po bëmë referendum për shaminë, për fenë në shkolla, si do të jetë rezultati? Po hoqëm gjininë nga Kushtetuta, po bëmë referendum për kthimin me vdekje, për gratë në politikë, për shiun e Tiranës, si do të jetë rezultati?
Mos ju përgjigjni, NE jemi demokraci, po jo demokraci liberale, aty ku shumica nuk dhunon pakicën, aty ku të gjithë kanë të drejta dhe ku shumica zgjedh politikëbërjen por jo sistemin demokratik në qelizë. NE duam demokraci, ama demokraci Enveriste, Hitleriane, që të na vijnë përmbarë vetëm dhe vetëm NEve,demokraci ku të quajnë martesën gej shkatërrim të sistemit të familjes (citoj Shehun, Mërtirin, Dodën, Demin), po aq sa rampat shkatërruan shkallët, po aq sa numrat e kateve në ashensor për të verbërit shkatërruan sistemin tonë dhjetor. NE duam demokraci ku demo të jemi vetëm NE, ose, ose, të jenë dhe të tjerë, por pak më poshtë nesh, jo shumë shumë poshtë, pak poshtë, të paktën ligjërisht, aq pak, sa të paktën çdo maj, ditën e tyre ta shndërrojmë në Pagëzim, Ramazan, Rrëfim dhe Pastrim të mëkateve tona, ditën e tyre, do të ndihemi pas 355 ditësh njerëz të denjë dhe të moralshëm!
Shkrim tjeter nga autorja:
Replikë Artan Lames: Pjesa II – Nga Sofia Limani