Pse është ende e vështirë të tregosh për seksualitetin tënd
Në Ditën Kombëtare të Coming Out, profesoresha e shëndetit të Universitetit Lancaster, Elizabeth McDermott bën një vëzhgim se pse është ende kaq e vështirë për të dalë hapur.
Disa muaj më parë, intervistova një vajzë 19-vjeçare biseksuale, dhe e pyeta se pse i dukej kaq e vështirë për të “dalë hapur”.
Ajo u përgjigj: “Kishte shumë urrejtje që më vinte nga të gjitha anët”.
Mund të duket e çuditshme që një grua e re që jeton në Britani të Madhe ka përjetuar armiqësi për shkak të orientimit të saj seksual.
Mbretëria e Bashkuar ka bërë shumë ndryshime legjislative për të promovuar barazinë LGBT- p.sh. ligjet e anti-diskriminimit dhe martesat mes gejve. Por, edhe pse ligjet kanë ndryshuar, qëndrimet negative ndaj personave LGBT për fat të keq ende ekzistojnë.
Krimet e urrejtjes ndaj personave LGBT mbeten një problem i vazhdueshëm në Britani të Madhe. Dhe shifrat e reja të përpiluara nga Galop – një bamirësi kundër dhunës LGBT – tregon se sulmet homofobike janë rritur 147% në tre muaj pas votimit të Brexit.
Që sugjeron se rritja e krimit të urrejtjes që u vu re pas referendumit të BE-së nuk ishte e kufizuar vetëm për racizmin apo islamofobinë.
Një pjesë e problemit është se ne jetojmë në një botë ku të gjithë supozohet të jenë heteroseksualë – dhe si shoqëri ende duam të mendojmë se të gjithë i përshtaten kategorive gjinore në mashkull apo femër.
Por realiteti është krejt ndryshe – në një studim të kohëve të fundit është zbuluar se 49% e njerëzve të moshës mes 18 dhe 24 janë identifikuar si diçka tjetër dhe jo 100% heteroseksualë.
Por, edhe pse numri i personave që identifikohen si diçka tjetër përveçse krejtësisht heteroseksualë është në rritje, është ende e vështirë për shumë njerëz që të identifikohen plotësisht si LGBT.
Kjo është për shkak se në krye të armiqësisë së mundshme me të cilën një person LGBT mund të përballet, ata gjithashtu duhet të vendosin se kur mund të jetë koha e duhur për ti treguar dikujt që ata nuk janë heteroseksualë apo se mund të kenë një gjini të ndryshme. Dhe kjo mund të thotë, se të dalësh hapur nuk është një ngjarje që do të ndodhë vetëm një herë.
Pra, nëse bëhet fjalë ti zbulosh seksualitetin tënd kolegëve në vendin e punës, të shpjegosh në shkollë që vajza juaj ka dy baballarë, ose të flasësh me djalin tënd se si nëna e tij ka lindur burrë, dalja hapur shpesh mund të jetë një ushtrim i rregullt për shumë njerëz LGBT.
Pse të dalësh hapur?
Hulumtimet tregojnë se dalja hapur për orientimin seksual dhe identitetin gjinor bën një ndryshim të madh në aftësinë e njerëzve LGBT që të udhëheqin një jetë të lumtur, të hapur dhe të përmbushur.
Të jetosh hapur mbi identitetin seksual dhe gjinor përmirëson vetë-respektin dhe vetë-besimin e personave LGBT, mundëson marrëdhënie më të mira, përmirëson kënaqësinë e punësimit dhe rrit mirëqenien dhe shëndetin psikologjik.
Në një intervistë hulumtimi, Lex, e cila ishte 25 vjeçare dhe genderqueer, më shpjegoi se si marrja pjesë në një grup të rinjsh LGBT e ndihmoi të dilte hapur:
Në të vërtetë më hoqi ndjenjën e izolimit dhe më mundësoi që të bëhesha pjesë e një grupi miqsh që më kuptonin. Kjo do të thotë se isha në gjendje të kisha akses në shërbime të tjera LGBT. Dhe mundëm të rrisnim vetëbesimin si në aspektin e ndjenjës së pranimit po ashtu edhe në pranimin e vetes.
Në anën tjetër ka ndikime të jashtëzakonshme negative mbi personat LGBT, kur ata nuk mund të jenë të hapur për orientimin e tyre seksual apo identitetit gjinor.
Kjo fshehtësi mund të çojë në izolim, vetë-dëmtim, marrje përsipër të rrezikut seksual, abuzimin me substanca dhe marrëdhënie të dobëta.
Hulumtimet tregojnë se pamundësia për të treguar identitetin seksual apo gjinor, dhe stresi lidhur me vendimin për të dalë hapur, është gjithashtu i lidhur vazhdimisht me vetëvrasjet dhe depresionin e personave LGBT.
Një studim i fundit në Angli, i financuar nga Departamenti i Shëndetësisë, hetoi rrezikun e lartë të vetëvrasjeve midis të rinjve LGBT (të moshës 16-25).
Studiuesit zbuluan se 25% e njerëzve nuk kërkonin ndihmë kur ishin depresiv dhe në gjendje vetëvrasëse, sepse ata fshihnin orientimin e tyre seksual dhe/apo identitetin gjinor.
Dil nga fshehja?
Por kjo nuk është diçka që ndikon vetëm të rinjtë – sepse të fshehësh orientimin tënd seksual apo identitetin gjinor mund të ketë ndikime negative në të gjithë jetën tënde.
Dy studime të financuara nga Marie Curie zbuluan se shumë njerëz të moshuar LGBT, kanë frikë të madhe se do tu priten shërbimet lehtësuese dhe të kujdesit të jetës – për shkak se janë LGBT.
Të anketuarit thanë se ishin të shqetësuar se ofruesit e shërbimeve dhe profesionistët e shëndetit dhe të kujdesit social do të ishin indiferentë ndaj seksualitetit apo identitetit të tyre gjinor, madje edhe shumë armiqësorë.
Por, pavarësisht vështirësive ende të përjetuara nga shumë persona LGBT, gjërat po ndryshojnë.
Statistikat zyrtare të qeverisë tregojnë se pothuajse dy herë më shumë të rinj identifikohen si LGBT sesa para 25 vitesh. Dhe një studim i ri ka zbuluar se persona që kanë arritur moshën madhore në fillim të shekullit të 21, po identifikohen si LGBT më shumë çdo grupmoshë tjetër – dhe shpresohet që gjeneratat e reja të vazhdojnë të bëhen më progresive.
Për shkak se më shumë njerëz identifikohen si LGBT dhe e jetojnë hapur seksualitetin dhe gjininë e tyre, si dhe rritjen e vetëdijes, mund të ndodhë që në të ardhmen, të dalësh hapur të bëhet një gjë e së kaluarës.
Dhe një ditë njerëzit mund të mos kenë nevojë të dalin hapur, sepse të gjitha seksualitetet dhe gjinitë do të festohen si të natyrshme dhe normale./A.A.