Policia heton një tjetër sulm mbi selinë e LGBT në Mal të Zi
Goditja me gurë e selisë së Forumit të Progresit të LGBT në Podgoricë ishte sulmi i 25-të ndaj aktivistëve dhe pronës së organizatës së të drejtave, tha lideri i saj.
Stevan Milivojevic, kreu i Forumit të Progresit të LGBT, tha të hënën se zyra e organizatës ishte sulmuar pavarësisht faktit se oficerët e policisë duhet ta mbronin atë.
Ndërtesa në kryeqytetin Podgoricë u sulmua gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, por askush nuk u lëndua. Kamerat e survejimit kapën dy burra me kapuça që qëllonin me gurë dritaret e zyrës.
Milivojevic tha se pavarësisht se ishte caktuar mbrojtje e veçantë policore, prona e organizatës, si dhe aktivistët ishin sulmuar në 25 raste në vitin e shkuar, por fajtorët nuk ishin ndjekur penalisht.
“Nëse 24 sulmet e mëparshme mbi ne do të ishin hetuar plotësisht dhe nëse autoritetet malazeze do të kishin bërë më shumë për të gjetur dhe ndëshkuar fajtorët, ky sulm i fundit nuk do të kishte ndodhur kurrë,” tha Milivojevic për BIRN.
Ministria e Malit të Zi për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave nxiti të dielën policinë të bëjë më shumë për të ndaluar sulmet mbi komunitetin LGBT.
Ministria i ka dënuar sulmet mbi Forumin e Progresit të LGBT dhe i ka bërë thirrje njerëzve për ‘respektim paqësor të diversitetit’.
Qeveria në Podgoricë ka bërë përparime në të drejtat e homoseksualëve, pavarësisht faktit se çështja është kundërshtuar dhe nuk ka mbështetje popullore, në shoqërinë konservative dhe patriarkale.
Disa studime sugjerojnë se rreth 70 për qind e malazezëve e konsiderojnë homoseksualitetin një sëmundje. Rreth 80 për qind besojnë se njerëzit homoseksualë duhet ta mbajnë seksualitetin e tyre privat.
Raport progresi i fundit i BE për Malin e Zi tha se pavarësisht se autoritetet kishin ndërmarrë hapa përpara për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT, armiqësia ndaj tyre mbetej ende e përhapur në shoqëri.
Sulmet mbi personat LGBT vazhduan dhe dënimet penale për këto sulme mbeten të pakta, tha raporti.
Marrë nga gazetatema.net