Policët gej në Tiranë: Si sfiduam diskriminimin në ambjentet e punës
Stonewall, organizata më e madhe për të drejtat e komunitetit LGBT në Britani, në bashkëpunim me organizatat Aleanca LGBT, Pro LGBT dhe Equal Rights Association (ERA), organizuan sot konferencën “Aksesi në drejtësi i personave LGBT”.
I pranishëm në fjalën hapëse, Sean Melbourne, Zëvendësambasador i Misionit pranë Ambasadës Britanike në Tiranë, theksoi nevojën për edukimin dhe edukimin e publikut të gjerë. “Sot kemi më shumë nevojë për iplementimin e legjislacionit aktual si edhe edukimin dhe informimin e popullsisë kundër homofobisë”, tha Z. Melbourne.
Në pjesën e parë të kësaj konference u fol për dhunën dhe aksesin në drejtësi të komunitetit LGBT në Shqipërinë bashkëkohore ku aktivistët Kristi Pinderi, Xheni Karaj dhe Amarildo Fecanji ndan me pjesëmarrësit eksperiencën në punën e tyre. Sipas një studimi të kryer gjatë vitit 2016 nga Aleanca LGBT, ka pasur 532 raste bullizmi që përfshijnë fyerje, ofendime, etiketime, poshtërim në rrugë dhe përjashtimi nga transporti publik, bare, palestra, supermarkete si dhe 8 raste të dhunës fizike të raportuara tek Aleanca. Nga këto vetëm 6 rastë janë raportuar tek autoritetet.
Sipas Xheni Karaj, kjo ndodh si pasojë e mungesës së besimit nga pjesëtarët e komunitetit tek institucionet shtetërore dhe nga frika mos kthehen në target diskriminimi nga vetë punonjësit e këtyre institucioneve.
“Nëse në fillimet tona na duhej të komunikonim me Policinë vetëm nëpërmjet aleatëve tanë si ambasada apo organizata të tjera, sot kemi arritur që të komunikojmë drejtëpërdrejtë me ta dhe të kemi mbështetjën për të gjitha aktivitetet tona”, tha aktivistja Xheni Karaj gjatë konferencës.
Për të diskutuar mbi partneritetin midis Policisë, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT të pranishëm ishin edhe tre policë të ardhur nga Britania e Madhe. Louis Provart, Inspektor Policie ne Mbretërine e Bashkuar dhe Bashkë-drejtues i Shoqatës Kombëtare të Policisë LGBT në Mbretërinë e Bashkuar, Tatjana Arsoba nga Policia Metropolitane e Londrës dhe Peter Rigby nga Policia e Staffordshire njëkohësisht anëtarë të komunitetit LGBT ndanë eksperiencën e tyre me kolegë të Policisë së Shtetit shqiptar, përfaqësues të institucioneve publike etj.
Z. Provart tha gjatë fjalës së tij se është domosdoshme për komunitetin LGBTI në Shqipëri të ketë aleatë publik për të rritur vizibilitetin në publik. Të tre inspektorët e Policisë Britanike janë modele të dukshme për komunitetin LGBT, brenda forcave të tyre policore apo sistemit të drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar më gjerësisht.
Të pranishëm në Koferencë ishin edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit shqiptar. Inspektori i Policisë Bujar Mehmeti, i specializuar për çeshtje të diversitetit tha në fjalën e tij se është shumë e rendësishme përfshirja e orientimit seksual dhe idenitetit gjinor në kurrikulën e Akademisë së Policisë së Shtetit. /m.g/