Parlamenti Polak kalon projektligjin e parë të njohjes transgjinore
Dhoma e ulët e parlamentit Polak ka kaluar legjislacionin e parë të njohjes të personave transgjinorë në vend.
Deputetja e parë transgjinore në Poloni, Anna Grodzka, prezantoi Aktin e Përputhjes Gjinore në maj të vitit 2012, dhe ai më në fund u miratua të enjten (23 korrik) me 158 vota nga 252, me 11 mungesa.
Sipas ligjit të propozuar, një qytetar i pamartuar transgjinor do të jetë në gjendje të aplikojë për një ccertifikatë të re lindjeje dhe dokumente të reja që vërtetojnë historinë e tyre arsimore dhe të punësimit, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen një operacioni ose terapie hormonale.
Ata, megjithatë, do të duhet të paraqesin dy konfirmime të pavarura që “janë një person i një identiteti të ndryshëm gjinor nga gjinia e caktuar ligjërisht” nga një psikolog klinik ose mjek.
Megjithëse Polonia i ka njohur ligjërisht persona transgjinorë që nga vitet 1960, kërkesat nuk janë kodifikuar asnjëherë, gjë që ka çuar në proçedura gjyqësore konfuze.
“Kjo është një fitore e madhe për njerëzit transgjinorë në Poloni,” tha Viktor Dynarski, president dhe drejtor ekzekutiv i grupit të avokimit Fondacioni Trans-Fuzja.
“Këto ditët e fundit kemi parë anëtarët e parlamentit të luftonin si kundër ligjit ashtu edhe pro tij, por ishte hera e parë që ne dëgjuam politikëbërësit polakë të mbronin hapur autonominë trupore të njerëzve transgjinorë dhe duke pranuar se qytetarët transgjinorë duhet të kenë dinjitetin e tyre të siguruar.”
Akti i përputhjes gjinore ende duhet të miratohet nga senati dhe të nënshkruhet nga presidenti para se të mund të bëhet ligj në janar të vitit 2016./A.A.