Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton ligjin kundër diskriminimit

Pasditen e djeshme, parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin e ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku përfshihet për herë të parë dhe mbrojtja nga diskriminimi i shkaktuar prej orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Një vendimmarrje historike për komunitetin LGBTI+ në Maqedoninë e Veriut, ku prej vitesh organizatat e shoqërisë civile po luftonin për futjen e ligjit në parlament dhe miratimin e tij.
Për ligjin kanë votuar pro 52 deputetë, ndërkohë që tre kanë abstenuar dhe nuk ka pasur asnjë votë kundër prej të pranishmëve në seancë.
Debati për ligjin për antidiskriminim ka kaluar me qëndrime kundërshtuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës lidhur me përfitimet e kësaj zgjidhje ligjore, se sa është ai në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, kundrejt mbrojtjes së vlerave tradicionale.
Ministrja e Punës dhe Politikave Sociale Milla Carovska para deputetëve ka shpjeguar se bëhet fjalë për zgjidhje ligjore me të cilën respektohen standardet evropiane dhe ndërkombëtare nga të gjitha format e diskriminimit.
Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi është cilësuar nga mazhoranca si një prej ligjeve ‘me flamur evropian’, të domosdoshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor të këtij viti. /k.j