Këto ditë kemi patur debate të ndryshme mbi martesën brenda gjinisë dhe ndryshimit të kodit civil në Kosovën fqinje. Ka patur qëndrime të ndryshme. Ka patur polemika të forta. Ka patur fjalime frymëzuese siç ishte ai i Kryeministrit Albin Kurti, por edhe shumë të tjerë homofobikë me gjuhë denigruese të deputetëve të vetë partisë së Kryeministrit, Vetëvendosja. Ndërmjet këtyre qëndrimeve sikat edhe ai i njërit prej aktivistëve për të drejtat LGBTI, Kristi Pinderi. Ai thotë: “Po sikur të ishim më të vërtetë me veten, më strategjikë dhe ta braktisnim njëherë e mirë gjithë këtë pseudodebat për martesat mes së njëjtës gjini, një debat që është katapultuar direkt e nga hapësirat më konservatore të komunitetit queer dhe ka zënë vend sikur të ishte e drejta absolute, arritja fundore e betejës për drejtësi pas së cilës s’do kishte më rëndësi asgjë tjetër?
Po sikur të biem dakord njëherë e përgjithmonë që është më gjithpërfshirëse me fol për të drejtën për të krijuar familje dhe për të patur jetë familjare, se për të drejtën për celebrim para shtetit? Sepse jeta familjare ka disa forma dhe nëse ne fiksohemi keqazi vetëm me njërën, në fakt as atë (pra martesën) nuk e arrijmë, por në të njëjtën kohë edhe i demonizojmë njerëzit që e shohin martesën për atë që është, një institucion konservator që ka qenë historikisht një mjet kontrolli shoqëror e jo detyrimisht një e drejtë e panegociueshme e njeriut. Po sikur ta shikojmë martesën (atë mes një burri e gruaje, atë mes dy grave, apo atë mes dy burrave) jo si një e drejtë e njeriut, por si një privilegj që cave u jep akses në një shoqëri të ndërtuar rreth atij privilegji e ca të tjerë i shndërron në “të tjerë”, për ta patur më të lehtë për ti përjashtuar? Ç’drejtësi sjell një mekanizëm ligjor që përjashton ca dhe u jep privilegje ca të tjerëve? Po sikur ta shikonim betejën tonë jo vetëm si betejë për atë që dashurojmë, por për atë që jemi? Po sikur ta kuptojmë realitetin ashtu siç është, e që në fakt është ky: nuk na urren njeri pse duam atë që duam, por pse jemi këta që jemi, është kaq e thjeshtë! Po sikur të jemi pak më radikalë e të imagjinojmë një shoqëri që nuk bazohet në institucione të ngurta ekskluziviteti siç është martesa?
A nuk do të ishte më e barabartë një shoqëri që i zhduk privilegjet, duke filluar që nga privilegji për tu martuar? Këto pyetje bën Michael Warner, përgjigjet e së cilave i jep në këtë libër që qëndron në themel të queer theory, një teori që do duhet ta mësonim më shumë në Shqipëri e më tej në Ballkan për tu çliruar nga ca beteja të panevojshme që na mbajnë në vend numëro e nuk na japin asnjë mundësi për transformim rrënjësor.” /Kristi Pinderi