Duke shfletuar internetin si një i ri në Kinë, Ma Baoli kujton vëllimin e madh të faqeve në internet që i tregonin se ai ishte një i sëmurë dhe që kishte nevojë për trajtim, thjesht sepse ishte gej.
“Unë u ndjeva jashtëzakonisht i vetmuar pasi u bëra i vetëdijshëm për orientimin tim seksual”, thotë Ma, në atë kohë një oficer i ri policie, i vendosur në një qytet të vogël bregdetar.
Dy dekada më vonë, 43-vjeçari tani drejton Blued, një nga platformat më të mëdha të takimeve në botë për burrat gej.
Aplikacioni u bë publik korrikun e kaluar për audiencat aziatike, me një debutim prej 85 milion dollarësh në bursë, një histori e jashtëzakonshme e suksesit teknologjik nga një vend që vendosi të cilësojë homoseksualitetin si një sëmundje mendore në vitin 2001.
“Kishte shumë pak vende në Kinë në atë kohë ku burrat homoseksualë mund të njihnin partnerë”, thotë Ma, duke shtuar se “njerëzit do të shkruanin të dhënat e tyre në muret e tualeteve publike, duke lënë një vend takimi”.
“Të gjithë kishin frikë të mos zbuloheshin nga të tjerët.”
Blued nisi fillimisht si një Blog, i cili u zgjerua gradualisht në një forum me ndikim në internet për personat LGBT+ në Kinë, duke u dhënë atyre mundësinë për të ndarë artikuj mbi stilin e jetës, këshilla shëndetësore dhe tregime të shkurtra.
“Mendova se mund të ndërtoja një faqe në internet, për t’u thënë njerëzve gej si unë… nuk keni nevojë të ndiheni inferiorë, nuk keni nevojë të mendoni për vetëvrasje,” tha ai.
Rritja e vëmendjes ndaj blogut të tij në media të ndryshme lokale ndikoi në vendimin e Ma për tu larguar nga puna si polic dhe për t’ju dedikuar me kohë të plotë Blued, i cili u publikua si aplikacion në vitin 2012.
Aplikacioni sot thotë se ka më shumë se 58 milion përdorues në Kinë dhe vendet aziatike, duke përfshirë Indinë, Korenë e Jugut dhe Tajlandën.
Diskutimi i çështjeve LGBT mbetet i diskutueshëm në Kinë, me aktivistë që ankohen për kufizime të shtrënguara në diskutimin publik në vitet e fundit.
Por, pavarësisht se një blog i ngjashëm, Danlan.org ishte mbyllur në mënyrë të përsëritur në vitet e para të ekzistencës së tij, Blued ka shmangur në masë të madhe konfliktin me autoritetet kineze.
Ai ka zgjedhur një qasje të kujdesshme në ngritjen e vetëdijes dhe tolerancës ndaj komunitetit LGBT+ dhe problematikave të tyre.
Kjo përfshin përpjekjet e Blued për të trajtuar stigmën rreth virusit HIV, që ka nxitur diskriminimin ndaj burrave homoseksualë në shoqërinë kineze dhe që vazhdon të parandalojë njerëzit të kërkojnë kujdes mjekësor.
BlueCity, kompania përgjegjëse për app-in, udhëheq njëkohësisht një platformë në internet që shet komplete diagnostikuese për HIV dhe jep këshillime nga mjekët për personat që duan të ruajnë anonimatin. Ajo gjithashtu punon me autoritetet lokale për të drejtuar përdoruesit e aplikacioneve të tyre në qendrat falas të testimit.
Ma thotë se ekipi i tij është i përkushtuar për “ndërtimin e një imazhi më të ndritshëm dhe të shëndetshëm të komunitetit LGBT në Kinë.”.
Ai beson se puna e tij ka ndihmuar në përmirësimin e perceptimit të zakonshëm të njerëzve në Kinë ndaj personave LGBT+, duke përfshirë miqtë dhe familjen e tij, që më parë e kishin shmangur dhe mohuar atë.
Ai mendon se njohja dhe ndryshimet pozitive janë në horizont.
Burimi: Japan Times
Burimi i fotos: AFP-JIJI