Norvegjia do lejojë ndryshimin e gjinisë që në moshën gjashtë vjeçare
Norvegjia po planifikon të liberalizojë sistemin e saj të njohjes gjinore – duke ju mundësuar njerëzve transgjinorë të ndryshojnë gjininë e tyre ligjore duke plotësuar një formular të thjeshtë, dhe ta hapin procesin deri tek fëmijët.
Aktualisht, vendi kërkon që njerëzit transgjinorë të kalojnë nëpër një numër hapash të ndërlikuar për të ndryshuar gjininë e tyre, duke u kërkuar atyre të kërkojnë trajtim mjekësor, ti nënshtrohen vlerësimeve psikologjike dhe të sigurojnë ‘dëshmi’ të ndryshimit të tyre gjinor.
Megjithatë, një projekt-ligj i ri i qeverisë për kujdesin shëndetësor në këtë vend do ta thjeshtojë procedurën në mënyrë drastike, duke anashkaluar serinë e pengesave burokratike.
Në mënyrë që të ndryshojnë gjininë sipas sistemit të ri të propozuar, njerëzit do të duhet të dërgojnë një formular të thjeshtë në zyrën qytetare lokale – një procedurë e ngjashme me ndryshimin e emrit.
Sipas TheLocal.No, ministri i Shëndetësisë Bent Høie shpjegoi: “Norvegjia është në ballë kur bëhet fjalë për të drejtat LGBT.
“Por sistemi ynë aktual për ndryshimin ligjor të gjinisë është i papranueshëm dhe ka qenë i pandryshuar për gati 60 vjet. Ky propozim është në përputhje me të drejtat e njeriut.”
Ingvild Endestad i Shoqatës LGBT të Norvegjisë tha për faqen e internetit: “Është e njëjta procedurë që ka ekzistuar për ndryshimin e emrit që nga viti 2008. Ju mund ta bëni atë me në një klikim në internet.”
Sipas propozimeve, sistemi do të jetë i hapur për herë të parë edhe për të rinjtë. Aktualisht, vetëm ata mbi 18 vjeç mund të kenë njohje gjinore, por në bazë të projekt-ligjit të parë të këtij lloji, prindërit mund të autorizojnë një ndryshim ligjor gjinor për fëmijët e tyre që nga mosha gjashtë vjeçare.
Ata mbi 16 vjeç do të jenë në gjendje ta ndryshojnë gjininë e tyre ligjore, pa lejen e prindërve.
Familja me bazë në SHBA e gjashtë vjeçares transgjinore Coy Mathis ka fituar më parë një rast diskriminimi, pasi një shkollë refuzoi të njohë atë si vajzë./A.A.