Fillimisht i lutesha zotit që të ndryshoja, të kthehesha në heteroseksual, por kur kuptova që zoti nuk po dëgjonte lutjet e mia, kuptova që duhet të jetoj jetën kështu si ndihem.
Edhe pse shumë afër me kryeqytetin, qyteti i Durrësit vuan ende nga një shkallë e lartë mospranimi ndaj komunitetit LGBTI+. Dhuna verbale e fizike, ofendimet, talljet si dhe bullizmi nëpër shkolla janë ende një fenomen tejet i përhapur, njëjtë si në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.
Por, njëjtë si dalja e një ylberi pas një stuhie, një grup të rinjsh në Durrës kanë vendosur të krijojnë grupin e tyre të mbështetjes, një grup miqsh që është aq i bukur e kuptimplotë sa dhe emri i tij, Ylbere plot shpresë (@HopefulRainbowss).
Natyra bëri një gabim, që unë e kam korigjuar.
“Grupi nisi si një grumbullim i vogël, unë njoh ato, që njohin këto të tjerët.”, shprehet një nga antarët e tij.
Ditë pas dite miq të rinj i shtoheshin grupit të adoleshentëve dhe të të rinjve, që kur i dëgjon të flasin mbi botën dhe përjetimet e tyre, të mbushin plot me shpresë se një brez i ri në vend po rritet me vetëdije të plotë për identitetet e ndryshme gjinore dhe orientimet seksuale.
Të rinj e të reja të cilët me krenari për identitetin dhe qenien e tyre, kërkojnë të njohin të tjerë individë si vetja, pa paragjykim e rezistencë ndaj diversitetit që ekziston në shoqërinë tonë, edhe pse ende i fshehur në shumë raste.
Më tepër se grup mbështetjeje, ky komunitet funksionon si një grupim informal miqsh, të cilët i bashkon mirëkuptimi dhe dëshira për të ndryshuar realitetin mbytës me të cilin ato përballen, realitet i cili shkakton qindra pasoja për dhjetëra individë LGBTI+ që në vitet e para të jetës.
Ato e kuptojnë shumë mirë se burimin e intolerancës në shoqërinë tonë.
Mosdija dhe pritshmëritë shoqërore për ruajtjen e stereotipave gjinorë krijojnë këtë ambjent mbytës për ata që janë ndryshe.
Grupimi lindi natyrshëm në Instagram, e sa vjen dhe zgjerohet.
Nga biseda e vazhdueshme me ta, kupton dhe pse ende shumë të rinj shohin si shpëtim zhvendosjen në Tiranë. Ajo është kthyer në të vetmen mënyrë pavarësimi dhe të jetuari larg syve të të tjerëve, edhe kur flasim për realitetin e Durrësit, që është vetëm disa minuta lag Tiranës.
Por pavarësisht këtij realiteti të zymtë, këto djem e vajza po përpiqen të ndryshojnë jetët e tyre në komunitetin ku jetojnë. Ata janë të rrethuar nga kultura queer në rrjete sociale, nga personazhe jo-binarë e që kanë hedhur poshtë etiketimet tradicionale stereotipike.
Ato njohin dhe ndjekin këngëtarë dhe influencer që po sjellin një revolucion të mirëfilltë shoqëror, përmes medias së re, rrjeteve sociale dhe botës digjitale dhe duke e kuptuar ose jo, ato po jetësojnë të njëjtin ndryshim dhe në Shqipëri, me thyerjen e barrierave të vendosura nga pritshmëritë e ndryshkura të shoqërisë sonë.
Mesazhi kryesor është se askush nuk është vetëm dhe nuk duhet të ndihet i tillë! Sado të vogla të jenë qytetet e Shqipërisë, sërish do të ketë disa të rinj e të reja që nuk kanë frikë të sfidojnë realitetin e periferisë.
Hopeful Ranibows është shpresë se pranimi dhe njohja mund të zgjerohen tepër thjeshtë edhe përtej rrjeteve sociale apo botës virtuale. Mjafton pak dëshirë e mirë dhe guxim për të ndërtuar ura, aty ku shoqëria ka krijuar mure. / A.A
