Ngacmuesit online anti-LGBT i dërgojnë mesazhe të tmerrshme vajzës 9-vjeçare
9-vjeçarja transgjinore Avery Jackson ka dalë në kopertinën e numrit të fundit të National Geographic.
Revista u përqëndrua në “Revolucionin Gjinor’, duke përfshirë historitë e të rinjve transgjinorë dhe jo konfirmistë, me Jackson që gjithashtu foli për përvojat e saj.
Megjithatë, ungjillorët e krahut të djathtë nisën një fushatë kundër revistës – së bashku me Shoqatën Amerikane të Familjes kanë nxjerrë një thirrje për mbështetësit që të ngacmojnë redaktoren e revistës, Susan Goldberg, të cilën ata e quajtën një “abuzuese” fëmijësh.
Që nga fushata e grupit, një valë mesazhesh të tmerrshme i janë drejtuar familjes Jackson, kontaktet e të cilës janë bërë publike në internet nga aktivistët anti-trans.
Nëna e saj Debi Jackson ka marrë mesazhe që bënin thirrje për të që të “shfarosej”, me disa që shënjestronin edhe vetë Avery si një “tekë e natyrës” dhe duke i bërë thirrje asaj që të kryejë vetëvrasje.
Në përgjigje të mesazheve, Debi Jackson ka shkruar në Facebook: “Faleminderit për të gjitha komentet plot urrejtje dhe kërcënime!
“Unë po i ruaj të tëra mesazhet për ti treguar ligjvënësve se pse janë të nevojshme ligjet anti-diskriminuese dhe të krimit të urrejtjes. Ju po bëni punën e Perëndisë. Qofshi të bekuar!”
Nëna krenare tha për Kansas City Star: “Kjo është një turmë ngacmuesish të internetit … këtij grupi të veçantë i pëlqen të shënjestrojë komunitetin transgjinor. Shumë prej tyre përpiqen të shënjestrojnë njerëzit dhe i ngacmojnë aq shumë në mënyrë që ata të bëjnë vetëvrasje.
“Ata kanë nisur një fushatë për mua, [duke më përshkruar] si prind të tmerrshëm dhe abuziv që jam duke përdorur fëmijën tim për famë dhe pasuri, dhe padyshim që kam probleme me devijimin seksual që e detyroj djalin tim të sillet si vajzë”.
“Ata gjetën informacion dhe e bënë publik.
“Njerëzit më pas komentuan:” Po, ajo është padyshim një grua që ka nevojë të ngacmohet virtualisht derisa të kryejë vetëvrasje”.
“Iku koha e ‘Ti je një mama abuzive dhe njerëzit duhet të telefonojnë shërbimin e mbrojtjes së fëmijës’, dhe filloi ‘Ti duhet të vritesh menjëherë – e vetmja mënyrë që fëmijët e tu të jenë të sigurtë është që ti të shfarosesh.”
Në një përgjigje të veçantë për abuzimin dhe kritikat, redaktorja e National Geographic Susan Goldberg, ka shkruar një letër të hapur.
Ajo shkroi: “Meqë ne shpërndamë fotot e kopertinën të numrit tonë të veçantë mbi gjininë në Instagram, Facebook, dhe Twitter, dhjetëra mijëra njerëz kanë dhënë mendimet e tyre, nga shprehjet e krenarisë dhe mirënjohjes deri në shprehje të zemërimit. Shumë prej tyre janë zotuar se do të anulojnë abonimin e tyre.
“Këto komente janë një pjesë e vogël e diskutimit të thellë që po ndodh tani në lidhje me gjininë.
“Numri ynë i janarit përqendrohet kryesisht tek të rinjtë dhe se çfarë roli luan gjinia në të gjithë botën. Për një nga tregimet tona, të cilat ne gjithashtu i kthyem në një seri videosh, shkuam në tetë vende dhe xhiruam 80 portrete nëntë-vjeçarësh, të cilët folën me ne në mënyrë të guximshme dhe të sinqertë se si ka ndikuar gjinia në jetën e tyre.
“Njëra prej tyre ishte Avery. Ajo ka jetuar hapur si vajzë transgjinore që nga mosha pesë vjeçare, dhe ajo kapi kompleksitetin e bisedës rreth gjinisë.
“Sot, ne nuk po flasim vetëm në lidhje me rolet gjinore për djemtë dhe vajzat- ne po flasim për të kuptuarit tonë në evoluim të njerëzve në spektrin gjinor.
“Ne shpresojmë se këto histori rreth gjinisë do të ndezin bashkëbisedime të kujdesshme për të kuptuar sa larg kemi ecur në këtë temë- dhe sa rrugë kemi akoma për të bërë.”/A.A.