Mbrojtësit e të drejtave civile, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (FIDH), Front Line Defenders dhe International Lesbian, Gay, Biseksual, Trans and Intersex Association (ILGA-Europe) u bëjnë thirrje autoriteteve turke të rrëzojnë të gjitha akuzat ndaj 19 aktivistëve të të drejtave LGBTI+, si pasojë e gjykimit në 12 nëntor 2019, në Ankara.
Më 12 nëntor 2019, 19 mbrojtës të të drejtave LGBTI + do të dalin në gjyq, të akuzuar për “pjesëmarrje në një asamble të paligjshme” dhe “rezistencë pavarësisht paralajmërimit” për të marrë pjesë në marshimin paqësor LGBTI + Pride, në Kampusin e Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme (METU) në Ankara në 10 maj 2019.
Nëntëmbëdhjetë persona, mes të cilëve, 18 ishin studentë dhe një anëtar i fakultetit, qenë midis 22 personave që u arrestuan gjatë Marshimit të Krenarisë në METU, pasi forcat e policisë hynë në kampusin e universitetit me kërkesë të administratës së universitetit. Policia shpërndau turmën duke përdorur sprej me piper, gaz lotsjellës dhe plumba plastikë. Të 22 të arrestuarit u lanë të lirë po atë ditë.
Björn van Roozendaal, Drejtori i Programeve për ILGA-Evropë u shpreh: “Mbrojtësit ishin duke praktikuar të drejtën e tyre për t’u organizuar dhe për t’u ngritur për të drejtat e të tjerëve në mënyrë paqësore, ndërsa policia i sulmoi dhe i arrestoi ata. Rasti duhet të ndiqet penalisht për mohimin e ushtrimit të së drejtës themelore për marshim paqësor. Të gjitha akuzat kundër mbrojtësve të të drejtave të njeriut duhet të anulohen menjëherë, dhe ky rast duhet të mbyllet”.
Marshimi i Krenarisë u organizua nga Solidariteti LGBTI+ METU, një grup studentor i themeluar në vitin 1996, i cili punon për të siguruar barazinë gjinore, zhdukjen e fobisë ndaj komunitetit LGBTI+ në kampusin universitar, si dhe sigurimin që universiteti të jetë një hapësirë e sigurtë për personat LGBTI +. Grupi ka organizuar rregullisht marshime LGBTI+ në kampus çdo maj, që prej vitit 2011.
Në Nëntor 2017, duke përdorur urdhrin e emergjencës, në Ankara u lëshua një ndalesë e pacaktuar për organizimet publike me fokus të drejtat LGBTI+. Vetëm më 3 tetor 2018, zyra e Guvernatorit informoi për zbatimin e ligjit edhe autoritetet e tjera përkatëse për një ndalim të ri, pa dhënë indikacione të tjera të nevojshme.
Më 19 Prill 2019, Gjykata Administrative e Apelit nëAnkara hoqi ndalimin e vendosur nën gjendjen e jashtëzakonshme, me arsyetimin se ishte e padrejtë dhe kësisoj të kufizonte të drejtat dhe liritë në mënyrë të pakushtëzuar, të paqartë dhe disproporcionale.
Të katër organizatat deklaruan: “Ne do të donim t’u kujtonim autoriteteve se detyra e shtetit është të marrë masa sigurie për të mbrojtur organizimet dhe marshimet paqësore, jo t’i ndalojë ato. Qeveria duhet të kryejë një hetim të plotë dhe të paanshëm për përdorimin e tepërt të forcës gjatë një organizimi, në vend që të ndiqen penalisht në mënyrë të padrejtë mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Ne ritheksojmë thirrjen tonë për autoritetet që të heqin të gjitha akuzat ndaj 19 aktivistëve dhe të sigurojmë që të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Turqi të jenë në gjendje të kryejnë aktivitetet e tyre të ligjshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut pa frikë nga hakmarrja apo kufizimet e papritura.”
Ngjarja e mësipërme na rikujton se shoqëria turke është duke përjetuar politika represive të shumanshme, duke penguar dhe vënë në rrezik serioz të drejtat themelore të të drejtave të njeriut.