Në 17 Maj zhvillohet mbrëmja gala “Love is All” nga Streha LGBT
Në dhjetor 2014 u hap qendra e parë rezidenciale për strehimin dhe akomodimin e të rinjve LGBTI të pastrehë në Shqipëri. Streha i përgjigjet të rinjve LGBTI me emergjenca në strehim, duke garantuar akomodim në ambjentet e rezidencës sociale, plotësim të nevojave bazë, këshillim psiko-social, aftësim për jetën, mbështetje drejt ri-integrimit, etj. Mbrëmja Gala “Love is All”, është një nga eventet që organizohet për mbledhjen e të ardhurave për plotësimin e nevojave të personave që akomodohen aty.
Ky është viti i katërt i mbrëmjes së bamirësisë që do të organizohet në 17 maj tek Hotel Plaza Tirana. Si çdo vit, do të mbledhë së bashku aktivistë të shoqërisë civile, mbrojtjës të së drejtave të njeriut, përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, ambasadorë e artistë nga fusha të ndryshme.
Kontributet e mbledhura nga Mbrëmja Gala do të shkojnë për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve që ofron Streha dhe rrjeti i institucioneve me të cilat bashkëpunon. Çdo person që është i interesuar për të kontribuar për kauzën apo të marrë pjesë në event, mund të kontaktojë në [email protected]
Gjatë Mbrëmjes Gala do të ndahen edhe çmimet Aleati i Vitit për personazhe apo nisma që kanë mbështetur lëvizjen për mbrojtjen e të drejtave LGBTI gjatë vitit nga Aleanca LGBT dhe Pro LGBT.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT këtë vit kanë kënaqësinë që të falenderojnë:
- Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, Bashkia Tiranë për mbështetjen që ka dhënë gjatë këtij viti për realizimin e fushatës kundër bullizmit në shkolla
- Deona Çano, psikologe në qytetin e Vlorës, për mbështetjen që i ka dhënë gjatë punës së saj si psikologe shkollore pjesëtarëve të komunitetit LGBT
- Semi Jaupaj, këngëtare, për mbështetjen morale si dhe artistike për sa i përket dashurisë brenda të njëjtës gjini. Jaupaj ishte një nga pjesëmarrëset e videoklipit “All for Love & Love for All” realizuar në kuadër të mbrëmjes së bamirësisë “Përqafo Diversitetin, Mbështet Progresin”
- Marsela Çibukaj, këngëtare, për mbështetjen e sinqertë edhe ajo pjesëmarrëse në realizimin e këngës “All for Love & Love for All”, ku jepet mesazhi se dashuria është për të gjithë.
- Kamela Islamaj, këngëtare, për mbështetjen e sinqertë që ka dhënë ndaj komunitetit LGBTI përmes artit të saj.
- Manjola Hasa, gazetare, për përcjelljen me korrektësi, dinjitet dhe vërtetësi të lajmeve në lidhje me kauzën LGBTI.
- Senatorët e Shkollës “Petro Nini Luarasi” për guximin dhe mbështetjen e tyre në informimin e të rinjve të shkollës “PetroNiniLuarasi” mbi bullizmin në shkolla.
- Etleva Sheshi, përgjegjëse për çështjet e përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunitetit LGBTI.
- Edlira Teferiçi – Specialiste e diversitetit pranë Policisë së Shtetit, për punën e vazhdueshme që bën për të informuar efektivët e policisë në lidhje me cështjet LGBTI dhe mbështetjen që i ka dhënë organizatave LGBTI.
- Organizata TLAS, një organizatë që ofron ndihmë ligjore falas, për ndihmën që ka dhënë për pjesëtarë të komunitetit LGBTI. /I.D/