Ndahet nga jeta në moshën 65 vjeçare Gillbert Baker, krijuesi i flamurit shumëngjyrësh të LGBT
Gillbert Baker, artisti nga San Francisco që krijoi për herë të parë imazhin e flamurit ylber si simbol për komunitetin LGBT, është ndarë nga jeta. Gazeta The San Francisco Chronicle raporton se Baker vdiq në gjumë mbrëmjen e së enjtes në shtëpinë e tij në New York.
Në vitin 1987, ai dizenjoi për herë të parë flamurin me tetë ngjyra në kuadër të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë. Baker ka thënë se ai donte të shprehte idenë e diversitetit dhe përfshirjes duke përdorur elemente nga natyra për të lënë të nënkuptuar se seksualiteti është një e drejtë njerëzore.
Për nder të kujtimit të tij, sot flamuri shumëngjyrësh është ngritur në San Francisco. Ky flamur valëvitet pranë portretit të Harvey Milk Plaza, politikani i parë amerikan që doli hapur për seksualitetin e tij dhe njëkohësisht mik shumë i mirë i Baker.
Miku i ngushtë i Baker u shpreh në Twitter: “Miku im më i dashur është larguar nga kjo botë. Gilbert Baker i dha botës Flamurin Ylber, kurse mua më dhuroi 40 vite të mbushura me dashuri dhe miqësi”.
Skenaristi Dustin Lance Black, i cili shkruajti skriptin për MILK, dokumentari biografik mbi politikanin gej, u shpreh në Twitter: “Ylberat sot vajtojnë. Bota jonë është shumë më pak shumëngjyrëshe pa ty, i dashuri im. Gilbert Baker na dha neve flamurin shumëngjyrësh për të na sjellë bashkë. Bashkohuni sërish”.
Senatori i Kalifornisë, Scott Weiner u shpreh se puna e Baker ka ndihmuar në definimin e lëvizjes moderniste për LGBT.
Sipas të dhënave biografike, Baker lindi në Kansas në vitin 1951 dhe kreu shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane nga viti 1970 deri në vitin 1972, kur ai u stacionua në San Francisco në ditët e hershme të lëvizjes liberale për komunitetin LGBT.
Flamuri original i Baker kishte 8 ngjyra, secila prej tyre përfaqësuese e një aspekti jetësor:
- Roza – seksualiteti
- E kuqe – jeta
- Portokalli – shërimi
- E verdhë- ndriçimi
- Jeshile – natyra
- Bojëqielli – arti
- Blu – harmonia
- Violet – shpirti njerëzor
Më vonë numri i ngjyrave u reduktua në 6, duke e hequr rozën dhe bojëqiellin, siç është edhe flamuri aktual. /k.m/