NBC: Aktivistët LGBTQ në Shqipëri, po transformojnë komunitetin e tyre
Një përballje e mundshme gjatë këtij viti midis lëvizjes LGBTQ të Shqipërisë, qeverisë dhe ligjvënësve të Bashkimit Evropian shënon kapitullin e fundit të një përralle guximi, vendosmërie dhe aktivizmit bazik.
Kristi Pinderi, 34 vjeç, dhe Xheni Karaj, 31 vjeçe, të cilët kanë qenë në ballë të lëvizjes për gati një dekadë, kanë në plan të ngrenë një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg duke kërkuar të ndryshojnë Kodin e Familjes në Shqipëri i cili ndalon të drejtat e bashkëjetesës për çiftet brenda të njëjtit seks.
Nëse aktivistët fitojnë, Qeveria e Shqipërisë – e etur për t’u bashkuar me BE-në – do të vihet nën presion të madh për të lejuar marrëveshjet e partneritetit civil, pavarësisht orientimit seksual. Një vendim i suksesshëm mund të ndihmojë edhe në hapjen e rrugës për legalizimin e martesave të të njëjtit seks, një propozim që do të kishte qenë i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.
Pinderi dhe Karaj, duke folur në një video nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, kanë pranuar se ka qenë një kthesë e fortë. Kur aktivistët u takuan nëpërmjet Facebook-ut në vitin 2009, komuniteti LGBTQ në Shqipëri ishe i margjinalizuar deri në padukshmëri.
Pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1992, dhe dekriminalizimit të marrëdhënieve të njëjtit seks tre vite më vonë, shumica e njerëzve LGBTQ vazhduan të fshehin seksualitetin e tyre sesa të rrezikonin refuzimin e familjes apo shkatërrimin profesional.
“Ka pasur disa përpjekje përmes dy ose tre organizatave për ta kthyer në një diskutim publik, por ndoshta nuk ishte koha e duhur”, tha Pinderi.
Edhe sot, legjislacioni pro-LGBTQ i cili ndalon diskriminimin, nuk mund të fshehë ndjenjat homofobike dhe transfobike që përshkon këtë komb të orientuar ndaj familjes. Përveç kësaj, shumë e interpretojnë mbështetjen e qeverisë shqiptare për politikën progresive si një hile për të përshpejtuar anëtarësimin në BE, më shumë sesa shqetësim të vërtetë për të drejtat e minoriteteve seksuale dhe gjinore.
“Ju mund të shihni se ekziston një dallim i madh midis zhvillimeve legjislative dhe ndryshimeve kur është fjala për realitetin e përditshëm të njerëzve LGBT”, tha Karaj, themeluese e Aleancës Kundër Diskriminimit të LGBT (Aleanca).
Në vitin 2009, askush në Shqipëri nuk fliste për këtë çështje. Por kjo do të ndryshonte. Aktivistët kapën mundësinë e tyre, pasi liderët e fuqishëm katolikë, ortodoksë dhe udhëheqësit myslimanë të vendit u bashkuan për të sulmuar me forcë mbështetjen e papritur të kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha për martesat mes gejve.
Pinderi dhe Karaj hartuan një deklaratë për shtyp duke kritikuar intolerancën e liderëve të tyre fetarë. Gazetarët shqiptarë ishin të etur për të dëgjuar më shumë nga ky komunitet deri atëherë pa zë; për herë të parë, aktivistët e rinj u ndjenë të fuqizuar.
Ata vendosën të provokonin. Takime klandestine të organizuara përmes medieve sociale çuan në aktivitete të stilit guerilas në rrugët e Tiranës. Postera që dënonin homofobinë u ngjitën nëpër qytet, stolat në parkun ngjitur me ndërtesat qeveritare u lyen në ngjyrat e ylberit dhe muret u mbuluan me mesazhe pro-LGBTQ, shpesh me pamje nga objektet fetare.
“Vitin e parë kjo ishte disi e rrezikshme”, tha Karaj.
Pa dyshim, një Paradë e hershme Krenarie që përfshiu vetëm një pjesë të vogël aktivistësh u sulmua nga “rrugeçër” me bomba të bëra në shtëpi, ndërsa një debat televiziv live midis anëtarëve të komunitetit dhe grupeve anti-LGBTQ u ndërpre nga një politikan i tërbuar që kërcënoi se do ti priste fytin Pinderit. Armiqësia ndaj komunitetit kishte ngritur kokën e shëmtuar – fjalë për fjalë, në disa raste.
Megjithatë, një ndjenjë komuniteti po zhvillohej midis popullatës gej dhe lezbike lokale, si dhe për aktivistët. Njerëzit LGBTQ të cilët kishin qenë ngurues për të dalë hapur, po merrnin pjesë në grupe diskutimi të organizuara nga aktivistë, evente të komunitetit, ekspozita arti dhe koncerte. Pinderi dhe Karaj, ndërkohë, po zbulonin se kishin pushtet të mjaftueshëm për të kërkuar takime me shefat e policisë, ambasadorë dhe politikanë të rangut të lartë.
Megjithatë, arritja e tyre më e madhe erdhi në vitin 2014. Ndërsa lëvizja në Shqipëri u bë më e dukshme, një numër më i madh i të rinjve po dilnin hapur për familjet e tyre. Për disa, vendimi i tyre për të besuar sollën dhunë dhe refuzim.
“Menduam se një strehë do të ishte ndihma më e madhe që mund të vinte në ndihmë të këtyre të rinjve dhe do t’u jepte atyre mundësinë për të mos ushtruar profesione të tilla si punëtorë seksi”, tha Karaj.
Në dhjetor të atij viti, projekti Streha hapi dyert e saj. Me financim nga USAID-i dhe Ambasada Holandeze dhe mbështetje strategjike nga Albert Kennedy Trust me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, streha me tetë shtretër në Tiranë është ende i vetmi në llojin e vet për të rinjtë e pastrehë LGBTQ në rajonin e Ballkanit e Evropës Lindore.
Sipas Marsida Celës, drejtoreshë ekzekutive e Strehës, përfituesit, siç quhen ata, zakonisht qëndrojnë në Strehë për gjashtë muaj, kohë gjatë së cilës ata mund të kenë qasje në mbështetje psikologjike, trajnim profesional, këshilla karriere dhe, në raste të caktuara, ndihmë në ribashkimin me familjen. Shumica e banorëve janë shqiptarë, edhe pse streha ka strehuar edhe të rinj nga Kosova dhe Mali i Zi.
Për Pinderin, streha, e cila u bë një entitet i pavarur në vitin 2015, simbolizoi fillimin e një faze të dytë për lëvizjen LGBTQ Shqipërisë. Nëse vitet e para u shënuan duke rritur dukshmërinë dhe duke sfiduar krijimin, më pastaj në fokus ka qenë dhënia e ndihmës të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme për anëtarët e komunitetit.
Sa për vitin 2017, Shqipëria është në prag të kalimit në një epokë të re të barazisë. Raste të ngjashme me të tyrin që përfshijnë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë shkak për optimizëm. Dy vite më parë, Italia u dërgua në Gjykatën e Strasburgut nga tre çiftet gej që kërkojnë më shumë të drejta ligjore për ata që janë në marrëdhënie të të njëjtit seks. Gjykata pranoi, dhe në maj të vitit të kaluar, parlamenti i Italisë miratoi një ligj që njeh bashkimet civile të të njëjtit seks.
“Ne kemi një mundësi të madhe në Strasburg”, tha aktivisti. “Ne nuk kemi leva ligjore për të sfiduar përkufizimin e martesës, por kemi mjaftueshëm për të sfiduar përkufizimin e bashkëjetesës”.
Ndërsa përgatiten për procesin gjyqësor për padinë, këtë vit aktivistët do të vazhdojnë të ndihmojnë OJQ-të fqinje nga Maqedonia për të ngritur “strehat”e tyre për të rinjtë LGBTQ, ndërsa hyn në një fushatë të re në vendin e tyre për të rritur dukshmërinë e çështjeve të transgjinorëve.
“Mendoj se kohët e vështira kanë kaluar tashmë”, tha Karaj. “Komuniteti është më i fortë dhe përgjigja jonë (ndaj homofobisë) është shumë më aktive dhe agresive se më parë.”
“Por ne duhet të vazhdojmë të forcojmë të rinjtë nga komuniteti LGBT për të kuptuar dhe për të vazhduar me sfidën, sepse ajo nuk ka përfunduar ende – Unë mendoj se ky është vetëm fillimi”.
Artikullin origjinal të NBC mund ta lexoni këtu