Mr.Gay Albania 2019

Fundjavën e kaluar në Tiranë, u zhvillua edicioni i rradhës i spektaklit Mr.Gay Albania.
Dhjetë konkurentë morën pjesë në këtë event, duke kaluar nëpër tre sfilata, derisa në fund të spektaklit u kurorëzua vetëm njëri prej tyre, si fitues i konkursit të bukurisë. Spektakli u shoqërua me performanca të shumta nga pjesëmarrësit, kryesisht këngë dhe kërcime. Gjithashtu, si të ftuara speciale të mbrëmjes ishin dhe konkurentet e Miss Trans, të cilat i shtuan më shumë ngjyra dhe emocion ngjarjes.
Eventi ka për qëllim promovimin e individëve gej në shoqëri dhe rritjen e vizibilitetit për këtë komunitet në vendin tonë, duke u dhënë mundësinë atyre për të festuar identitetin dhe individualitetin e tyre në shoqëri.
Ky edicion i Mr.Gay vjen si pasues i konkursit Miss Trans Albania, pjesë e një serie eventesh, të cilat kanë për qëllim kryesor, fuqizimin e pjesëtarëve të komunitetit LGBT+. Përmes aktiviteteve të tilla, pjesëtarët e komunitetit dhe organizatat partnere përpiqen të lehtësojnë dhe nxisin procesin e pranimit shoqëror për komunitetin LGBT+ dhe kësisoj, të ndihmojnë sadopak në uljen e diskriminimit.
Ndërkaq, kjo ngjarje u përcoll dhe nga njerëz të tjerë mbështetës të komunitetit, të cilët shijuan një mbrëmje ndryshe në Tiranë. Të tilla organizime në fakt, më së shumti synojnë qasjen drejt një komuniteti më të gjerë dhe hapjen drejt një shoqërie më pranuese. Njerëz që i gëzohen jetës dhe vetes, janë ata që edhe shoqërisë i vyejnë më së shumti, kështu do të kemi një mjedis më të shëndetshëm e tolerant në dashuri, cilado qofshin format me të cilat që kjo e fundit shfaqet.