Këtë fundjavë, në ambientet e Tulla Culture Center u zhvillua Miss Trans Albania 2020. Në këtë edicion të dytë, morën pjesë 8 konkurente nga Shqipëria dhe Kosova. Vajzat e komunitetit transgjinor, kanë punuar mbi 3 muaj për të dhuruar emocione të forta gjatë 3 orëve spektakël, nëpërmjet performancave të tyre dhe etheve të konkurimit.
Ky konkurs promovon vizibilitetin e vajzave të komunitetit transgjinor nëpërmjet bukurisë dhe talenteve të tyre.
Aleanca LGBT dhe Queen Klea si prezantuese dhe organizatore, duhen falenderuar për këtë mbrëmje të mbushur me performanca dhe surpriza. Ajo, Queen Klea së bashku me prezantuesen tjetër, bukuroshen Hirushe, dhuruan spektakël, muzikë dhe humor. Edhe vajzat nga Kosova dhuruan një spektakël shpërthyes, duke e bërë atmosferën edhe më magjike.
Pas disa çmimesh si Miss Miqësia, Miss Komuniteti, Miss Sharmi e kështu me rradhë, i erdhi rradha Miss Trans Albania 2020. Ky çmim u fitua nga bukuroshja durrsake Alesia, e cila kishte ardhur nga Italia për të marrë pjesë në këtë konkurs.
Vajzat arritën të jepnin një spektakël shumë të bukur, duke kënaqur një publik të madh të përbërë nga komuniteti LGBTI dhe jo vetëm, por ky spektakël u përdor edhe për të dhënë mesazhe sensibilizuese për shoqërinë shqiptare. Shumë pjesëtarë të komunitetit dhe aleatë, kërkuan që shoqëria shqiptare të jetë më pranuese ndaj këtij komuniteti.
Për më tepër po vendosim disa foto, për të tërë ata që nuk mundën të na bashkoheshin këtë fundjavë në këtë eveniment të rëndësishëm për komunitetin LGBTI.