Ministrja skoceze Nicola Sturgeon i nënshtrohet testit të HIV-it përballë mediave
Ministrja e Skocisë ka vendosur të thyejë tabutë duke marrë testin e HIV-it përballë të gjitha kamerave të medias.
Liderja politike e ka marrë testin në kuadër të Ditës Botërore kundër Sidës, si pjesë e një fushate rreth HIV-it në Skoci.
Testi i HIV-it arrin të nxjerrë rezultatin brenda 5 minutave. E mbështetur nga George Valiotis, që është dhe themeluesi i fushatës ndërgjegjësuese për HIV, Sturgeon u bë ministrja e parë në Britaninë e Madhe që i nënshtrohet këtij testi publikisht. Marrja e këtij testi në Skoci është falas për të gjithë. Marrja e rezultateve bëhet vetëm disa minuta pas nënshtrimit ndaj testit, dhe kjo u dëshmua qartë dhe nga ministria Sturgeon.
Më shumë se 5.000 persona në Skoci janë të diagnostikuar me virusin HIV dhe rreth 1.000 persona të tjerë nuk janë në dijeni që e mbartin virusin, dhe për këtë arsye testimi është kaq i rëndësishëm.
Stigma dhe tabutë rreth Sidës janë disa prej barrierave që i bën njerëzit ngurrues për të marrë testin. Kjo gjë pengon parandalimin e shpërndarjes së virusit si dhe i kufizon njerëzit për të marrë trajtimin mjekësor të nevojshëm.
Në deklaratën e saj për shtyp ministrja u shpreh: ‘‘Pavarësisht progresit të bërë vitet e fundit, SIDA mbetet një problem madhor për shëndetin publik në Skoci. Ne të gjithë mund të kontribuojmë për ta bërë më të lehtë jetën e personave të infektuar me HIV. Është e rëndësishme që ne të çrrënjosim stigmën rreth virusit dhe ti hedhim poshtë mitet e gabuara të ndërtuara rreth tij‘‘. /k.m /
Burimi: Pink News