Ministria e Arsimit sqaron se takimet e aktivistëve LGBT janë pjesë e strategjisë kundër diskriminimit
Ditët e fundit disa politikanë aluduan se diskutimet lidhur me bullizmin dhe komunitetin LGBT në gjimnaze janë zhvilluar në kundërshtim me rregullat dhe pa dijeninë e institucioneve.
Organizatat Pro LGBT dhe Aleanca LGBT reaguan duke thënë se takimet janë pjesë e strategjive kombëtare për të drejtat e njeriut, fakt që u konfirmua edhe nga Ministria e Arsimit. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Arsimit ka sqaruar se diskutimet e zhvilluara në gjimnaze me qëllim mënjanimin e sterotipeve gjinore dhe diskriminimit kanë marrë miratimin e saj, pasi janë pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit të Qeverisë Shqiptare për Personat LGBTI 2016-2020.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Arsimit:
Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë bazuar në strategjinë kombëtare për Barazi Gjinore dhe Planin e Veprimit 2016-2020, Planin Kombëtar të Veprimit të Qeverisë Shqiptare për personat LGBTI 2016-2020 si dhe nga rezoluta për LGBTI, prej dy vitesh në shkollat e vendit po trajnohen mësues, por edhe komuniteti i prindërve mbi të drejtat e njeriut, bullizmin dhe dhunën.
Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në zbatim të rekomandimeve por edhe detyrimeve që burojnë nga këto strategji dhe plane veprimi, po vijon konkretizimin e këtyre nismave në bashkëpunim me organizatat jo qeveritare për informimin dhe ndërgjegjësime të mëtejshëm të target-grupeve të ndryshme.
Këto trajnime synojnë mënjanimin e steriotipeve gjinorë dhe të diskriminimit, si pasojë e orientimit seksual. Aktivitetet ndërgjegjësuese synojnë reduktimin e praktikave diskriminuese, praktika këto që janë zhvilluar me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendorë dhe drejtuesve të shkollave dhe mësuesve të lëndëve”.