“Mendo Politikisht”, qëndrimet mbi LGBTI të partive: PS, LSI dhe LIBRA
Organizatat në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI, Pro LGBT dhe Aleanca LGBT, në kuadër të projektit “Mendo Politikisht” kanë analizuar qasje ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në programet e disa prej partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Partitë e përzgjedhura janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partia Republikane, Lista e Barabartë, Sfida për Shqipërinë, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar.
Organizatat iu kanë dërguar partive një kërkesë për informacion rreth qëndrimeve dhe parashikimeve për çështje të ndjeshme për komunitetin LGBTI si e drejta për bashkëjetesë, e drejta për akses të barabartë në shëndetësi për komunitetin transgjinor, angazhimi për implementimin e Planit Kombëtar për personat LGBTI 2016-2020, masat parandaluese për dhunën në familje, politikat kundër diskriminimit në sistemin arsimor dhe ambientet e punës etj.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Në faqen zyrtare të LSI janë publikuar një program për arsimin dhe një plan për zhvillimin ekonomik. Në sesionin “Pasqyrë e Aktualitetit Shqiptar” të programit të LSI për arsimin, pasqyrohen kritika rreth gjendjes aktuale të institucioneve dhe politikave arsimore. Programi përmend përciptazi çështje të të drejtave të njeriut kur premton shanse të barabarta në arsim dhe mbështetje për komunitetin rom. Por në këtë program mungon vizioni për t’i bërë shkollat një ambient të sigurt dhe të mbrojtur nga fenomeni i bullizmit, që do të ishte një çështje me rëndësi për të rinjtë LGBTI.
Partia Socialiste
Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste, në sesionin “Ripërtëritja Shoqërore” të këtij programi theksohet ofrimi i shërbimeve publike cilësore pavarësisht orientimi seksual.
Në rubrikën “Reformat” të publikuar në faqen e saj zyrtare ka listuar angazhimin dhe zotimet për rininë. Mes tyre përmendet fuqizimi i Zyrës së Komisionerit kundër Diskriminimit, nxitje për edukimin dhe punësimin e të rinjve romë, por nuk ka asnjë angazhim specifik drejtuar të rinjve LGBTI.
Në një takim me përfaqësues të partisë socialiste, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBT u informuan se në programin e ri të Partisë Socialiste janë integruar terminologji dhe politika të reja kundër diskriminimit si koncepti i “punësimit të ndershëm” i cili nënkupton mos diskriminimin në paga dhe trajtim të barabartë në vendin e punës. Si edhe plani për të krijuar 61 qendra për këshillimin e karrierës dhe strehëza për fëmijët e abuzuar në secilën nga njësitë vendore, nga të cilat mund të përfitojnë edhe të rinjtë LGBT.
Lista e Barabartë (LIBRA)
Në Manifestin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie thuhet: “LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, gjinisë, pasurisë, moshës, përkatësisë fetare, orientimit seksual apo bindjeve të mëparshme politike…”.
Në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBTI zhvilluan një takim me përfaqësuesen e LIBRA, Mimoza Hafizi. Ajo u shpreh se LIBRA e ka vendosur barazinë mes njerëzve në themelin e organizatës. Hafizi i konsideron të drejtat e komunitetit LGBTI si një çështje themelore, qëndrimet rreth të cilës duhet të mbahen me votim anëtarësie.
Shkrimi i plotë: Mendo Politikisht