Masë ndalimi për zyrtarin nga Ministria e Drejtësisë që përdori gjuhë urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+ në Kosovë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/02/hate-speech-960x640.png)
Xheladin Krasniqi, zyrtar pranë Zyrës së Arkivit të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë duket se nuk ka qenë i mirëinformuar për konsekuencat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Ironikisht nga pozicioni ku punon, zyrtari Krasniqi ka përdorur gjuhë nxitëse të dhunës ndaj komunitetit LGBTI+ përmes një komenti në faqen e Qendrës Multimedia për shfaqjen teatrale “55 Shades of Gay”.
Edhe pse një zyrtar i tillë, i cili vjen nga një institucion si ai i drejtësisë që duhet të jetë familjar më shumë se kushdo tjetër për akte ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka përdorur këtë lloj gjuhe.
Shfaqja me regji të Blerta Neziraj është rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI+ në Ballkan dhe Evropë. Komentet e bëra nga zyrtari kanë prekur të gjithë trupin e aktorëve të shfaqjes si dhe Qendrën Multimediale.
Në një postim në rrjetet sociale, Qendra është shprehur e shokuar nga komentet e zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë.
“Komente të tilla për urrejtje dhe nxitje të vrasjes janë shqetësuese dhe duhet të merren më seriozisht. Gjithsesi këto komente bëhen akoma dhe më shqetësuese kur thuhen nga zyrtarë shtetërorë dhe iu drejtohen drejtpërsëdrejti artistëve” thuhet në postim.
Sipas mediave lokale kosovare, Policia e Kosovës ka bërë me dije se ndaj zyrtarit Xheladin është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjithashtu rasti është dënuar dhe nga organizata të shoqërisë civile.
Më poshtë gjendet komunikata për shtyp nga organizata CEL KOSOVO.
Organizatat Qendra për Barazi dhe Liri – CEL dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, dënojnë ashpër gjuhën e përdorur nga ana e Zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë Z. Xhelajdin Krasniqi. Z. Krasniqi ka cilësuar personat LGBTI si degjenerim të skajshëm, thirrje për vrasje dhe përdhunim të personave LGBTI.
“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ishkon pra se me ju hjek koken me ja u rras shpaten ne b****”
Kjo deklaratë publike e Z. Xheladin Krasniqit është nxitje dhe përhapje e urrejtjes ndaj personave LGBTI dhe si e tillë është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës. Pëveç kësaj, deklarata homofobike e Z. Xheladin Krasniqit është jashtëzakonisht fyese ndaj personave LGBTI. Prandaj CEL dhe CSGD do t’i shfrytëzojë të gjithë hapat ligjor për ta mbajtur përgjegjës Xheladin Kransiqin për deklaratën e dhënë.
CEL dhe CSGD dënojnë çfarëdo gjuhe të urrejtjes që i drejtohet personave LGBTI apo cilit do komunitet tjetër që jeton në Kosovë dhe gëzon mbrojtje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi.
Të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera publike që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës për deklaratat e tilla. Punonjësit e institucioneve publike marrin pagë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duhet të kryejnë detyrën e tyrë në përputhje me Kushtetuten dhe ligjet e Kosvovë të cilat sanksionojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminim dhe promovojnë gjithëpërfshirjen dhe tolerancë. Prandaj përgjegjësia dhe llogaridhënja e këtyrë zyrtarëve duhet të jetë në nivel më të lartë. Ne kërkojmë që Ministria e Drejtësisë të ndërmarrë masa diciplinore të menjëherëshme ndaj Xheladin Krasniqit për deklaratën e dhënë.
/K.M/
Burimi: Gazeta Metro