Martesat brenda të njëjtës gjini më në fund ligjore në Irlandë
Martesa brenda të njëjtit seks u bë zyrtarisht ligjore në Irlandë më 29 tetor, pesë muaj pasi u zhvillua referendumi historik.
Republika e Irlandës votoi me shumicë dërrmuese në favor të barazisë në maj të këtij viti, në një referendum publik mbi martesat brenda të njëjtës gjini.
Qeveria kishte premtuar të nxjerrë ligje për të lejuar martesat sa më shpejt të jetë e mundur – por planet u prishën nga vonesat për shkak të një sfide ligjore ndaj vendimit dhe një ndërprerje Parlamentare.
Megjithatë, pasi Seanad (dhoma e lartë e parlamentit të Republikës Irlandeze)miratoi projekt-ligjin javën e kaluar, gjithçka që është e nevojshme tani është një urdhër fillimi nga ministri i drejtësisë dhe martesa e parë mund të bëhet brenda dy javësh.
” Komisioni Presidencial sot ktheu ‘Projektligjin e Martesës 2015’ në ligj,” tha zyra e presidentit në një deklaratë.
Senatorja Katherine Zappone e quajti nënshkrimin “një moment shumë të rëndësishëm” në historinë irlandeze.
“Është një moment shumë emocional për ata prej nesh që kanë bërë fushatë për kaq shumë kohë,” tha ajo në një deklaratë.
“Kjo fitore me të vërtetë i takon kombit, ky është një moment për të gjithë ne.”
Aktivistët LGBT gjithashtu kanë vlerësuar ata të cilët luftuan për ta kaluar ligjin sa më shpejt që të ishte e mundur.
“Gjithashtu duhet të tregojmë respekt edhe për politikanët kombëtarë në Irlandë, si dhe për të gjitha partitë kryesore politike që lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre partiake për të bërë fushatë për qëllimin më të madh të barazisë”, tha Evelyne Paradis e Shoqatës International Lesbian, Gay, Bisexual, Trans and Intersex në një deklaratë.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë më parë ka thënë se me shpresë martesat do të mund të realizohen “para fundit të këtij viti”, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Muajin e kaluar, qeveria e Irlandës gjithashtu vuri në fuqi Aktin e ri revolucionar të Njohjes Gjinore – që do të thotë se tashmë njerëzit transgjinorë mund të fitojnë njohjen ligjore, pa u vizituar tek një mjek.
Projektligji i ri shumë i guximshëm i Njohjes Gjinore, i cili kaloi në parlament në korrik pa probleme, përfshin ndryshime të shumta që lejon njerëzit transgjinorë të vetë-deklarojnë gjininë e tyre./A.A.