“Martesa” që thyen tabu
Këtë të shtunë në kinema Millenium u shfaq premiera e filmit “Martesa”, një histori që zhvillohet në Kosovë në kohë paqeje dhe lufte e nëpërmjet humorit të hollë trajton një tematikë tabu për kinematografinë kosovare dhe shqiptare, atë të dashurisë midis gjinisë së njëjtë, dashurinë e “pamundur” të dy personazheve kryesorë, Nolit dhe Bekimit.
Në filmin me regji të Blerta Zeqirit luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu në rolet kryesore dhe montazhi është bërë nga Kreshnik Berisha (Keka).
Eno Milkani, bashkëproducent i këtij filmi, tregon në një intervistë për Historia Ime detaje rreth filmit:
Si lindi ideja e një filmi me tematikë të tillë?
Blerta dhe Keka jane aktivistë për të drejtat e komunitetit LGBT, dalin gjithmonë hapur dhe e shprehin mbështetjen e tyre edhe në postimet e tyre personale.
Ideja për një film me tematikë të tillë lindi pas një porosie të Ambasadës Amerikane për një film me metrazh të shkurtër me këtë tematikë me skenar të Blertës dhe Kekës që u prit mjaft mirë nga publiku. Kjo është arsyeja se pse u vendos që të bëhej edhe versioni i gjatë i atij filmi. Në filmin me metrazh të shkurtër, Bekimi vendos të dalë hapur, dhe është për t’u vlerësuar sinqeriteti i personazhit, sepse në komunitetet tona, në Kosovë e në Shqipëri mendoj se është e frikshme të jetosh seksualitetin tënd.
Aktorët mes tyre kanë qenë shumë të natyrshëm. Kanë punuar më parë bashkë?
Aktorët kanë patur një natyrshmëri shumë të fortë, pasi kanë patur mundësi të improvizojnë midis tyre, kanë dhënë mendime dhe sugjerime se si ata mendonin do të ishte më mirë të luhej secili rol, çfarë batutash të bënin etj, gjë që u ndje fare mirë në film. P.sh., skena kur ata të tre pinë dhe dehen ka zgjatur 40 minuta, duke thënë barcaleta dhe duke improvizuar, pastaj ajo skenë u shkurtua dhe u lanë momentet më kyçe. Jo më kot edhe juria e Tallinn-it në Estoni, dha çmim për kompleksin e aktorëve dhe jo një aktori në veçanti. Genc Salihu nuk është një aktor profesionist, por ai ishte shumë i kënaqur me këtë rol dhe duhet të them që ishte një interpretim i mrekullueshëm nga ana e tij dhe tërë aktorëve të tjerë.
Përveç interpretimit të aktorëve dhe punës së regjizores, çfarë tjetër mendon se e bën interesant këtë film?
Me siguri edhe puna e drejtoreshës së fotografisë Sevdije Kastrati, e cila ka bërë një punë të mrekullueshme që ndjehet edhe në film. Ajo ka një stil të veçantë që kryesisht fokusohet në portretet e personazheve që të përçojë më së miri emocionin e aktorëve tek spektatori.
Përse zgjodhët pikërisht këtë fund?
Në fakt u mendua që filmi të mbyllej në momentin kur të dy personazhet ishin në makinën e policisë dhe Noli mbështet kokën e tij në gjoksin e Bekimit dhe të ishte një fund i hapur, por pastaj u vendos që filmi duhej të pasqyronte realitetin shqiptar.
Si e priti publiku filmin?
Patëm një vlerësim shumë të mirë nga publiku i kinemave në të cilat është shfaqur deri tani, që është Prishtinë, Prizren dhe Tiranë. Madje në Kosovë ka patur një kureshtje më të madhe, pasi njohin si Blertën, si Kekën ashtu edhe aktorët.
Po në Tiranë si u prit?
Njerëzve në kinema në Tiranë u pëlqeu shumë interpretimi i aktorëve, disa prej tyre madje më thanë që me keqardhje mendonin se një interpretim të tillë ne në Shqipëri nuk do ta arrijmë për shumë kohë.
E falenderojmë Eno Milkanin që është gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për komunitetin LGBT. Edhe pse në premierat e tij u prit mirë, ky film paraqet një situatë të dhimbshme që ndodh rëndom në shoqërinë shqiptare, por që askush nuk do ta pranojë. Djemtë dhe burrat, vajzat dhe gratë e këtij komuniteti në Shqipëri, Kosovë e më gjerë mohojnë veten dhe ndjenjat e tyre, vetëm që të jetojnë konform rregullave të pashkruara të shoqërive tona, të cilave nuk u intereson mirëqenia e inividëve të këtij komuniteti./A.A.