Maqedonia e Veriut shfuqizon ligjin anti-diskriminim

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe LGBT në Maqedoninë e Veriut kanë shprehur zemërim kur Gjykata Kushtetuese, javën e kaluar shfuqizoi Ligjin e ri Anti-Diskriminim të miratuar vitin e kaluar, duke përmendur lëshimet proceduriale.
Gjykata vlerësoi se çalon procedura e votimit, duke thënë se ligji duhej të ishte miratuar nga shumica e totalit të 120 deputetëve në parlament. Por, ajo u miratua vetëm nga një shumicë e deputetëve të pranishëm në dhomë në atë kohë.
Aktivistët thonë se pas fitores së tyre të madhe vitin e kaluar, kur ligji u miratua dhe për herë të parë përfshinte orientimin seksual si bazë për diskriminim, vendi tashmë kishte ndërmarrë një hap të madh pas.
“Me shfuqizimin e ligjit, shteti si dhe kjo qeveri tregojnë se personat LGBTI, si dhe grupet e tjera të margjinalizuara, janë të padukshme dhe të parëndësishme për shoqërinë. Ata po detyrohen të jetojnë sërish në frikë dhe turp, të vuajnë nga dhuna me të cilën ata përballen çdo ditë, “tha Lila Milic, një aktiviste për të drejtat e punonjësve të seksit dhe personave transgjinorë.
Parlamenti miratoi ligjin e shumëpritur kundër diskriminimit në maj të vitit 2019, shumë shpejt u nënshkrua nga Presidenti Stevo Pendarovski, dhe më pas hyri në fuqi.
Risia kryesore e ligjit, mbi të cilin vendi ishte kritikuar shumë herë nga ndërkombëtarët
në të kaluarën, ishte se ai tani përfshinte orientimin seksual si bazë për diskriminim.
Ligji i ri u pa si një fitore e madhe për të drejtat e njeriut dhe u vlerësua shumë nga komuniteti lokal LGBT, si dhe nga Komisioni i Venecias, BE dhe OSBE. Pasoi gati një dekadë rezistence ndaj këtij ndryshimi nga ish partia qeverisëse konservatore VMRO DPMNE.
VMRO DPMNE u largua përfundimisht nga pushteti në mesin e vitit 2017 dhe u zëvendësua nga një qeveri e udhëhequr nga Social Demokratët, e cila, nën parullën “Një shoqëri për të gjithë”, u zotua më në fund të ndryshojë provizionin, gjë që e bëri vitin e kaluar.
“Kjo tregon se sa do të zgjasë kjo luftë [për të drejta], sepse disa njerëz që e konsiderojnë veten më të ligjshëm se të tjerët, e kanë të vështirë të heqin dorë nga privilegjet e tyre,” tha Koco Andonov, drejtor programi në qendrën e mbështetjes LGBT me qendër në Shkup. “Por ne nuk kemi një jetë të dytë, atdhe të dytë apo planet të dytë – dhe do të luftojmë deri në fund për barazinë e të gjithëve, sepse çdo jetë ka vlerë,” shtoi ai.
Për ironi, masa për shfuqizimin e ligjit u mor nga anëtarët e ish komisionit shtetëror kundër diskriminimit, i cili, nën qeverinë e VMRO DPMNE, nuk pa asnjë gabim në atë që ishte atëherë ligji ekzistues.
Shfuqizimi i ligjit vjen në një kohë të papërshtatshme pasi mes një krize shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, parlamenti mbetet i mbyllur, duke pritur një datë të re të mundshme për zgjedhjet këtë verë, pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme.
Në reagim ndaj zemërimit të shprehur për projektligjin, Ministria e Politikave Sociale tha se pas zgjedhjeve të ardhshme, puna për një ligj të ri do të jetë “përparësia e parë” e saj – nëse qeveria vazhdon të udhëhiqet nga Social Demokratët./ Balkaninsight