Maqedoni/ Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbështet aplikuesin trans në çështjen gjyqësore

Në një verdikt gjyqësor të dhënë këtë javë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur në favor të aplikuesit nga Maqedonia, njëkohësisht nga komuniteti trans, ku u konstatua abuzim me të drejtën për të pasur një jetë private, si pasojë e vakumit ligjor në legjislacionin vendas dhe mungesa e një mekanizmi për njohjen ligjore të identitetit gjinor.
Edhe pse aplikuesi ka realizuar kirurgjinë e ndryshimit të seksit jashtë shteti, Ministria e Drejtësisë në Maqedoni ka refuzuar aplikimin për ndryshimin e shënjuesit të gjinisë në dokumentet zyrtare. Vetëm ndryshimi i emrit është i mundur në legjislacionin maqedonas për komunitetin trans, ndaj njohja e identitetit gjinor mbetet gati-gati e pamundur.
Antonio Mihajlov, president pranë organizatës “Subversive Front” që është një prej organizatave anëtare të ILGA-Europe, është shprehur se një vendim i tillë përbën një mesazh të qartë për autoritetet maqedonase që ti përvishen punës për të prezantuar njohjen ligjore të identitetit gjinor si dhe miratimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që “fle” në sirtar që prej majit të 2018.
Projektligji i propozuar përmban specifikisht termat orientim seksual dhe identitet gjinor si motiv për nxitjen e diskriminimit. ILGA-Europe ka ndërhyrë si një palë e tretë së bashku me organizatën ndërkombëtare për të drejtat e komunitetit trans “TGEU”, “Trans Network Balkan” dhe “Subversive Front”./k.m/
Burimi: ILGA-Europe