Majko e ka gabim historinë e komunistëve me LGBT
REAGIM
Kristi Pinderi*
Deputeti Pandeli Majko pothuajse u forcua në seancën dëgjimore dje në nën-komisionin e të drejtave të njeriut në Parlament kur tentoi të bënte një diversion të tipit: në ju kemi futur në burg, këta të PD ju kanë bërë ligje për t’ju mbrojtur (diversion që vazhdonte pastaj me idenë që, tani s’kemi c’bëjmë, do ju dëgjojmë dhe ne).
Ai mori përsipër të mbajë mbi supe trashëgiminë e Partisë së Punës së Shqipërisë, por ky në fakt duhet të jetë më shumë se problem i LGBT, një problem i Partisë Socialiste (me shumë të drejtë ata që votojnë PS mund të ndjejnë bezdisje se ata kanë votuar PS jo Partinë e Enver Hoxhës). Megjithatë, edhe historinë z. Majko e ka gabim. Nuk na rezulton që kriminalizimi I homoseksualizmit të ketë qenë vepër e komunistëve. Ata, në fakt, e gjetën atë kur erdhën në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një dokument që “Kryesija e Republikës” ia dërgon Ministrisë së Drejtësis në vitin 1925, zbulojmë tentativën e parë shtetërore për të kriminalizuar homoseksualzmin tek meshkujt shqiptarë, jo te femrat. Shkruhet konkretisht (arkivuar në skedarët me titullin “Krime të Kundërnatyrshme” në Arkivin e Shtetit, vitete 1912-1944):
“Për t’u studiue nga ajo Ministri e për të na u njoftue mendimi i saj, këtu ngjitur ju dërgohet kopja e një projekt ligji mbi ndalimin e pederastis paraqit për në Kryesi të Këshillit t Ministruer me shkresa numër 2166 datë 30-10-925 (dmth viti 1925) të Ministris së P. Mbrendshme.
Aktet të na kthehen prap.”.
Më poshtë fillon edhe arsyetimi për këtë projekt ligj. Arsyetimi kryesor ka të bëjë me faktin që deri në atë moment në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë pedarastia dënohej vetëm në rastet e marrëdhënieve seksuale mes një të rrituri dhe një të mituri (nën moshën 15 vjecare).
Duhet thënë që në fakt, kjo me konceptet aktuale nuk quhet marrëdhënie mes së njëjtit seks, por pedofili (!) e për pasojë ai kod penal ishte mëse normal dhe që duhet përshëndetur. Por shikoni se çfarë ndodh më poshtë me amendimin e tij. Thotë Kryesija:
“Në nenin 197 të Kodit të sipërthan dënohen ata q’i bajn punën e shëmtuet një tjetrit q’i asht pesë me dhet vjeçe e posht e nuk ndëshkohen ata q’i i bajn po kët vepër nji personi 15 vjeç e nalt. Dmth në ligjet sod në veprim Pederastia asht e ndalueme kur qi pasivi asht 14 vjeç e poshtë dhe e lirë kur qe ay asht 15 e nalt”.
*Drejtor i ProLGBT/Per me shume historiaime.al