Lunaçek, partive: LGBTI të përfshihet në programet politike
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, kërkoi që të drejtat e komunitetit LGBTI të përfshihen në programet e partive politike shqiptare. Këtë kërkesë Lunaçek e parashtroi gjatë forumit të organizuar për të drejtat e këtij komuniteti. Lunaçek tha se duhet më shumë vëmendje në mënyrë që të ndryshohet mentaliteti i shoqërisë në raport me komunitetin LGBTI.
“Çdo njeri ka prirjet e tij në jetë, asnjë s’duhet t’i paragjykojë ata, përfshirja e komunitetit LGBT në programet politike është e rëndësishme. Komuniteti LBGT duhet përgëzuar për guximin e tyre, nuk shoh asnjë problem në përfshirjen e tyre në programet politike, paragjykimet negative për komunitetin duhet të largohen, asnjë s’duhet t’i gjykojë për prirjet e tyre seksuale, ata kanë të drejtat e tyre, s’duhet të kemi frikë nga prirjet tona, duhet të jetojmë jetën tonë larg frikës”, tha zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian.
Sipas saj, në Parlamentin Europian janë gjithnjë me parimin që komuniteti LGBTI duhet të ketë të drejta të barabarta me të tjerët, s’duhet të diskriminohen, partitë politike s’duhet të kenë frikë, të përfshijnë në programet e tyre të drejtat e komunitetit LGBT. “Sot shoqëria ka ndryshuar, shoh progres në Shqipëri, partitë politike do të bënin shumë mirë nëse brenda tyre përfshijnë persona të komunitetit LGBT”, theksoi Lunaçek./A.A.