Lunacek dhe Fajon, mesazh për të drejtat e LGBTI në Shqipëri
Publikuar nga zyrat e Ulrike Lunacek (Anëtare/ Zv.Presidente e PE), Tanja Fajon (Anëtare e PE, Nënkryetare e grupit S&D) së bashku me Aleancën LGBT dhe Pro LGBT.
Znj. Ulrike Lunacek, deputete e Parlamentit Evropian dhe Zv. Presidente e PE (Partia e Gjelbër/ EFA Austri) dhe Znj. Tanja Fajon, anëtare e PE dhe Zv. Kryetare e Grupit S&D, të dyja anëtare të byrosë së PE-së për të drejtat LGBTI, u takuan sot në Tiranë me aktivistët dhe liderët e lëvizjes LGBTI, Znj. Xheni Karaj dhe Z. Kristi Pinderi.
Aktivistët informuan Lunacek dhe Fajon, mbi zhvillimet e lëvizjes LGBTI në Shqipëri dhe mbi sfidat me të cilat përballet ky komunitet.
Pjesëmarrësit në këtë takim ndanë shqetësimin e tyre të përbashkët se Shqipëria tani duhet të arrijë rezultate konkrete në luftën kundër diskriminimit të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Është me rëndësi për të gjitha partitë politike në Shqipëri të cilat ndajnë vlerat Evropiane, që të bashkojnë forcat dhe të punojnë së bashku me aktivistët për të drejtat LGBTI në përmirësimin e ligjeve ekzistuese dhe miratimin e një legjislacioni me gjithëpërfshirës, ngritjen e vetëdijes publike ndaj sfidave të LGBTI dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve ekzistuese të ofruara për komunitetin LGBTI. Nuk është e drejtë dhe as realiste të presësh që kjo punë të bëhet vetëm nga organizatat shoqërisë civile dhe nga aktivistët.
Të dy deputetet vlerësuan Planin Kombëtar të Veprimit për LGBTI që u miratua vitin e kaluar (2016) si “një hap i mirë përpara” ndërsa ishin dakord me aktivistët se “një plan i mirë në letër nuk është i mjaftueshëm nëse nuk zbatohet plotësisht”.
Është e rëndësishme që Shqipëria të kuptojë se rruga drejt integrimit evropian nuk do të përfundojë kurrë nëse të drejtat e njeriut nuk janë plotësisht të mbrojtura.