Nëse në fillimin e kësaj dekade shtete të mëdha e me peshë në vendimmarrjen ndërkombëtare po avanconin dukshëm në mbrojten dhe respektimin e të drejtave LGBTI, sot ky ndryshim duket të ketë ndalur.
Rikthimi i qeverive të djathta, retorikave konservatore dhe rrymave ideologjike aspak tolerante ndaj diversitetit, po vështirëson lobimin për të drejtat LGBTI dhe në organizata ndërkombëtare, siç është rasti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Gjërat po përkeqësohen fatkeqësisht.”, deklaron Karen Pierce, ambasadore e Britanisë së Madhe në OKB.
“Është bërë dukshëm më i vështirë progresi në çështjet LGBTI në OKB, edhe pse vitet e fundit dëshmuam një valë të mirëfilltë në favor të aktivizmit pro këtyre kauzave.”, deklaron ajo për Buzzfeed.
10 vite më parë ishte shumë më e thjeshtë të diskutohej për problemet e komuniteti LGBTI apo dhe të ndërmerreshin iniciativa në mbrojtje të tyre. Sot politikat kanë ndryshuar dukshëm me ndryshimin e qeverive në demokracitë më të rëndësishme brenda OKB.
Një grupim i vogël informal shtetesh, i formuar rreth 10 vite më parë për mbrojtjen e të drejtave LGBTI tashmë duket se është shpërbërë tërësisht.
Në vitin 2011 Këshilli i të Drejtave të Njeriut pranë OKB miratoi një rezolutë për udhëheqjen e studimit të parë të Kombeve të Bashkuara për çështjet LGBT. Një vit më vonë u dënuan përndjekjet jashtëligjore në shumë shtete dhe në vitin 2015 u mbajt dhe mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit për të drejtat LGBTI, duke mos marrë parasysh protestat nga ana e Rusisë për mbajtjen e këtij takimi.
Sot është e vështirë të flasim dhe për çështjet që lidhen me gjininë, apo vetëm përmendja e gjinive jo-binare mund të kthehet në një ‘dhimbje koke’ për shumë shtete anëtare.
Vatikani, nën cilësinë e një shteti observues në OKB, po udhëheq përpjekjet për moskonsiderimin e më shumë se dy gjinive biologjike në punën e organizatave ndërkombëtare. Shtetet jo-tolerante tashmë bëjnë shumicën në strukturat e OKB dhe presion ka dhe nga qeveritë e vendeve anëtare më liberale, të cilët përballen me retorikë konservatore në politikën e tyre të brendshme.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ndaloi këtë vit valvitjen e flamurit të diversitetit në ambasadat e SHBA në botë gjatë muajit të krenarisë.
Krerët e qeverive të sapozgjedhura në disa vende, fituan falë retorikave kundër zgjerimit të mëtejshëm të fushës së veprimit të të drejtave të njeriut dhe këto pikëpamje reflektohen dhe në politikën e jashtme të këtyre vendeve.
Brazili, Rusia, Kina dhe një mori shtetesh më të vogla Afrikane dhe të Lindjes së Mesme po kthehen në opozitën më të madhe brenda OKB kundër avancimit në të drejtat e njeriut dhe duket se heshtja e shteteve të tjera, dikur promovuese të këtyre të drejtave në arenën ndërkombëtare, po e përkeqëson dhe më tej situatën aktuale. /k.j