Ligji për transgjinorët që fle në sirtaret e qeverisë prej 3 vitesh
Së fundmi në televizionet shqiptare ka filluar të thyhet një tjetër akull, jeta e personave transgjinorë në Shqipëri. Së pari ishte Serafina, një vajze transgjinore e cila duhet të jetojë me stigmën e të qenit ndryshe dhe së fundmi jeta e vështirë Lepurushes. Komuniteti transgjinor është ndër komunitetet më të paragjykuara dhe të stigmatizuara në shoqërinë shqiptare për shkak se informacioni rreth tyre ose mungon ose paraqitet me paragjykime e stereotipe.
I diskutuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, njohja e identitetit gjinor si e drejtë themelore e çdo individi, as njihet por as nuk kundërshtohet nga legjislacioni aktual në Shqipëri.
Në vitin 2013, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, ekspertet ligjore Arta Mandro dhe Aurela Anastasi kanë hartuar një ligj për njohjen gjinore. Drafti i përgatitur, bazohet në parimin e barazisë e të mosdiskriminimit, të sanksionuara si nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare, të ratifikuara nga vendi ynë.
Qysh në preambulën e Kushtetutës së RSh, nënvizohet garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe zotimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor. Sipas nenit 3, veç te tjerave, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, janë baza e shtetit, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato.
Po ashtu Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, në një rekomandim të vitit 2010 për masat ndaj luftës kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, udhëzon “Shtetet anëtare të marrin masat e nevojshme për të garantuar njohjen e plotë ligjore të ndryshimit të gjinisë së një personi në të gjitha fushat e jetës, në veçanti duke bërë të mundur ndryshimin e emrit dhe gjinisë në dokumentet zyrtare në mënyrë të shpejtë, transparente dhe të aksesueshme”.
Këtë të drejtë e njohin po ashtu edhe Konventa Themelore e të Drejtave të Njeriut dhe e të Drejtave të Fëmijëve të cilat Shqipëria i ka ratifikuar prej vitesh. Por një ligj kontradiktor në përmbajtjen e tij, është ligji “Për Gjendjen Civile”.
Sipas nenit 8 të ligjit, disa përbërës të gjendjes civile, përfshi këtu gjininë, mund të hiqen, të shuhen ose të ndryshojnë në rastet e në mënyrën e përcaktuar shprehimisht në këtë ligj apo në çdo ligj tjetër të veçantë. Por më tej, ndonëse LGJC e njeh përbërësin ‘gjini’ si të ndryshueshëm, thotë se “në stadin aktual nuk përfshin asnjë rregullim specifik dhe nuk është një procedurë e aplikueshme”.
Qëllimi i ligjit “Për njohjen e identitetit gjinor”, i hartuar nga ekspertet ligjore Arta Mandro dhe Aurela Anastasi është “të sigurojë që personat transgjinorë të realizojnë njohjen e identitetit të tyre gjinor dhe të pajisen me certifikatë personale dhe dokumentacion tjetër zyrtar që pasqyron identitetin e tyre gjinor të vet deklaruar. Kështu, personat transgjinorë do të kenë të njëjtin identitet në çdo dokument të tyre kur ata të aplikojnë për një punë, një pasaportë të re ose regjistrimin në çdo institucione të ndryshme për qëllime trajnimi, arsimimi, etj”. /m.g
Shkarkoni me poshtë varjantin PDF te draftit
Drafti per njohjen e identitetit gjinor