Letër e hapur për mediat
Drejtuar: Z. Ben Blushi
Drejtor i Top Channel
I nderuar zoti Blushi,
Në emisionin ‘’Përputhen’’, të transmetuar në datën 22/10/2020, pjesëmarrësja Shqipe Hysenaj ka përdorur gjuhë urrejtje, denigruese dhe bulluese jo vetëm ndaj një tjetër pjesëmarrësi të vetidentifikuar si biseksual, por ndaj të gjithë komunitetit LGBTI+. Hysenaj tha, ndër të tjera se: ‘’Unë do të jap mendimin tim deri në fund, derisa kjo gjë të kryqëzohet’’, Një çik krahë t’ju japësh juve shife si bëheni, prandaj nuk duhet të japësh krah dhe të drejta ty dhe të gjithë biseksualëve’’, ‘’Kjo është e pështirë’’, ‘’Kjo nuk është normale’’, ‘’Po aprovoni lloj lloj pisllëqesh’’ etj.
Prezantueses së emisonit ju kërkua disa herë nga pjesëmarrësit e tjerë të merrte masa për të ndaluar gjuhën e urrejtjes por emsioni vazhdoi duke e lejuar Shqipen të përshkallëzojë në gjuhë akoma më të dhunshme, fyese dhe denigruese.
Normalizimi dhe legjitimimi i gjuhës së urrejtjes ndaj një komuniteti në një emision të shfaqur në television kombëtar është i papranuëshëm dhe ka pasoja serioze tek të gjithë personat LGBTI+ të cilët hasin vështirësi në pranimin e vetes për shkak të bullizmit dhe diskriminimit.
Ne vlerësojmë të drejtën e çdokujt për të shprehur opinionin e vet në lidhje me tema të karakterit publik, apo privat, por nga ana tjetër besojmë edhe në rolin e pamatë të medias kombëtare, për t’i luftuar stereotipet që mund të shkaktojnë dëme të mëdha psiko-sociale tek njerëz të viktimizuar përmes tyre, ose shpesh për t’i riprodhuar duke i përçuar ato të pafiltruara tek publiku i gjerë.
Sociologu Stewart Hall, në teorinë e tij për përfaqësimin në media, argumenton se publiku nuk është një konsumator pasiv, por mban një qëndrim aktiv kur e filtron, kur negocion mbi informacionin që merr, e kur e akomodon apo refuzon atë sipas vlerave të veta. Megjithatë, kjo nuk ia heq përgjegjësinë medias për të kryer rolin e vet edukativ, sidomos po të kemi parasysh se një rol i tille i medias kombëtare në Shqipëri është i sanksionuar edhe në legjislacionin në fuqi, si edhe në praktikat më të mira.
Po ju shkruajmë këtë letër, me kërkesën dhe shpresën se televizioni që Ju drejtoni, një televizion që ka revolucionarizuar industrinë e mas-medias në Shqipëri, nuk do ta ketë të vështirë që, mes rolit për t’i luftuar stereotipet dhe atij për t’i riprodhuar ato, do të zgjedhë të parin. Ndaj kërkojmë me respekt dhe me kurajo qytetare, që të merrni masa ndaj pjesëmarrëses Shqipe Hysenaj dhe të distancoheni nga kontenti i përcjellë në emisionin ‘’Përputhen’’ të datës 22/10/2020 duke i kërkuar ndjesë publike komunitetit LGBTI për fyerjet që u përcollën, në ekranin e televizionit qe ju drejtoni.
Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, ju urojmë punë të mbarë dhe ju falenderojmë paraprakisht.
Me respekt,
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT