Është e vërtetë që preferojmë të rrijmë akoma të fshehur, ama jo nga dëshira dhe vullneti jonë, por për shkak të të tjerëve, për shkak të shoqërisë e më shumë për shkak të familjes. Dhe unë dua të bertas për atë që jam, për atë që dua, pa vrarë mendjen e pa menduar opinonin e familjes. Kam vite që bëj jetë të dyfishtë. Kam vite që jetoj dhe ndiej për femrat, gjininë më të pafajshme në rruzullin tokësor. Nuk është dhe nuk ndjehesh aspak mirë, kur natën e kalon me personin që do dhe në mëngjes të të duhet të nisësh rutinën e përditshme të vajzës së shtëpisë, ku duhet të jetosh me rregullat e familjes.
Një herë ta plotësova dëshirën or bab` dhe u martova. Shkela veten, hoqa dorë nga dashuria e pastër ku isha vetvetja dhe të plotësova dëshirën ty. Jo se ti ishe në dijeni se vajza jote ishte lesbike, por sepse doje të më shikoje të stabilizuar, a thua se unë nuk isha. Nejse mor bab`, sikur Zoti nga lart pa se s’po mundja dot të jetoja atë jetë që nuk ishte për mua e ajo martesë false përfundoi. Prisja reagim të egër nga ty, ama jo. Ti dole në krahun tim dhe nuk më le te dera. Ai ishte djalë i mirë dhe unë këtë nuk e mohoj, ama jo më i mirë se ndjenja që kisha unë për atë që ishte bota për mua. Sot ështe e kotë ta kujtoj sepse rrugët tona janë ndarë e ajo ka jetën e vet. Faji ishte i imi që zgjodha burrin në vend të saj.
Jetojeni jetën, shijojeni ashtu siç e ndjeni dhe edhe në fshehtësi qofshi mos bëni gabimin tim, duke mos jetuar atë që doni e duke pranuar të ndani shtratin me dikë që nuk e ndjeni. Të falenderoj ty Zot, që ma shkurtove serinë e filmit me metrazh të shkurtër. Ty të jam borxh o bab`, se ta shtova stresin e mentalitetit e ti nuk më hodhe në rrugë. Nëse nesër merr vesh që vajza jote bën jetë tjetër, të lutem shumë të më kuptosh e të më pranosh ashtu siç ti e ndjen.
Të dua, ju dua dhe do t`ju dua shumë, pavarësisht se si do shkojnë gjërat. Jeta është njësoj si ylberi me ngjyra dhe ka uljet e zbritjet e veta, si batica dhe zbatica. Do ishte shumë mirë që të tjerët t`i mbanin pyetjet në mendjen e tyre dhe të mos shqetësoheshin se kë dashurojmë.
Nëse ty nuk të kanë shkelur në kallo, të lutem mos i shkel as ti të tjerët. Jeta është e shkurtër dhe nga sot unë do ta jetoj atë ashtu si dua. R..M..D