Lançohet projekti i ri për promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI
Pas javës së aktiviteteve në kuadër të ditës së IDAHOT (Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë), organizatat në mbrojtje të të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT së bashku me organizatën IREX Europe, e cila është një organizatë jofitimprurëse dhe jo qeveritare që punon për përmirësimin e edukimit, forcimin e medias së pavarur, të reduktojë konfliktet dhe të mbështesë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, lançojnë projektin PRIDE – Promoting Rights, Inclusiveness, Dignity and Equality for LGBT in Albania (Promovimi i të Drejtave, Përfshirjes, Dinjitetit dhe Barazisë për personat LGBT në Shqipëri).
Projekti PRIDE synon të fuqizojë organizatat LGBT dhe rolin e aktivistëve në promovimin e pranimit, përfshirjes dhe mbrojtjes së pakicës LGBT në Shqipërinë rurale dhe urbane. Në fokus të veçantë do të vihet mbrojtja e të rinjve LGBT të rrezikuar, promovimi i respektit për të drejtat themelore të personave LGBT si dhe forcimi i zërit të personave LGBT në media.
Projekti ka 3 objektiva specifike:
- Të forcojë kapacitetet e organizatave LGBT dhe të rrisë aftësinë e tyre pë të përmirësuar pranimin e komunitetit LGBTI nga popullata e përgjithshme.
- Të rrisë qasjen ndaj mbrojtjes dhe këshillimit, si dhe qasjen në mundësitë e punësimit për komunitetin LGBT, me një fokus të veçantë në sigurimin e aksesit në shërbimet bazë për individë të rinj LGBT të rrezikuar.
- Të promovojë një imazh më pozitiv të komunitetit LGBT dhe të përmirësojë pranimin e tyre nga popullata e përgjithshme, përmes fushatave mediatike dhe aktiviteteve në terren.
Nga ky projekt përfitues janë organizatat Aleanca LGBT e cila lufton kundër diskriminimit të bazuar tek orientimi seksual dhe identiteti gjinor nëpërmjet fuqizimit të komunitetit, Pro LGBT një organizatë që mbron të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri dhe afirmon në median shqiptare parimin se të drejtat LGBT janë të drejta të njeriut si dhe qendra Streha e cila strehon dhe fuqizon të rinjtë e pastrehë e të rrezikuar LGBT, të cilat do të trajnohen që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë më efektive dhe të japin shërbime të përmirësuara ndaj komunitetit LGBTI. Po ashtu përfitues do të jenë edhe qindra të rinj LGBT të rrezikuar, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara dhe do të jenë më të fuqizuar në gjetjen e punësimit.
Shumë aktivistë ose organizata LGBT/LGBT friendly do të marrin pjesë në grantet për rritjen e ndërgjegjësimit dhe do të suportohen në implementimin e projekteve të tyre ndërsa dhjetëra gazetarë nga rajonet do të përfitojnë nga një qasje gjithëpërfshirëse ndaj etikës dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, me një fokus specifik në çështjet LGBT.
Projekti do të punojë për të të promovuar një imazh më pozitiv të komunitetit LGBT përmes fushatave mediatike dhe duke theksuar modele pozitive.
Ky projekt implementohet nga IREX Europe në partneritet me Aleanca LGBT dhe Pro LGBT dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e Pro LGBT/Aleanca LGBT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.