Raportimi i lajmeve për çështje të komunitetit LGBTI+ kërkon përqasje profesionale dhe një mirë-informim të çështjeve për këtë komunitet. Informimi dhe profesionaliteti për këto çështje konsiston në njohjen me termat që lidhen me identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat seksuale si dhe shmangien nga gjuha diskirminuese dhe seksiste gjatë raportimit të lajmeve që lidhen me këtë komunitet.
Duke qenë se ndërgjegjësimi rreth të drejtave të këtij komuniteti në shoqëri mbetet i ulët, media luan një rol të rëndësishëm në edukimin e shoqërisë për çështje LGBTI+. Mirëpo duket se disa media ende dështojnë në raportimin e saktë të lajmeve për këtë komunitet, duke rënë në grackën e gjuhës diskriminuese dhe më e keqja: devijimi nga roli edukativ i medias.
I tillë ka qenë rasti i një lajmi të publikuar në portalin investigativ në Maqedoni me titull “paCensurë”. Në lajm bëhet fjalë për një qytetar me inicialet S.V. I cili ka raportuar pranë këtij portali shqetësimin që ka ndjerë pasi duke shëtitur me fëmijët në qendër të Gostivarit ka vënë re, sipas pretendimeve të tij, një djalë të veshur si vajzë. Ja si shprehet ai:
“Tung Pa Censurë, sot isha duke ecur me fëmijët e mi në qendër të Gostivarit, fëmijët u tmerruan nga pamja e çuditshme e një djali të patinuar dhe të veshur si femër. Unë nuk dua që fëmija im të rritet në këtë ambient, ai “djalë” le të vishet si t’i dojë zemra por, jo në publik, sepse ma tmerron shikimin sot kam qenë gjatë gjithë ditës i shqetësuar. Imagjinoni që unë u shqetësova po fëmijët?! Ky është degjenerim, une ju bëj gjithë prindërve apel që të dalim bashkë dhe t’i kundërshtojmë!”
Sipas qytetarit me iniciale S.V, një person me një pamje të tillë përbën degjenerim dhe e cilëson të çuditshëm pamjen e djalit. Gjuha e përdorur është diskriminuese me bazë identitetin gjinor. Lajmi në portal përmban vetëm mesazhin e qytetarit, pa pasur asnjë qasje nga ana e portalit maqedonas. Kjo tregon mungesën e profesionalitetit në raportim si dhe shtrohet pyetja se mbi çfarë baza artikulli i botuar përbën lajm për portalin “paCensurë”.
Mungesa e një qëndrimi kritik në këtë lajm tregon se vetë media bie pre e stereotipeve dhe paragjykimit ndaj komunitetit LGBT+./k.m/