Ku mund të jenë të sigurt personat LGBTI ?
Kur personat LGBT dhe njerëzit me gjini të ndryshme nga e tyrja lëvizin nga Afrika apo Amerika Qendrore dhe Jugore për në Evropë, persekutimi i tyre vazhdon. Ata përballen me rrezik të mëtejshëm dhe, në disa raste, edhe vrasje.
Personat lezbike, gej, biseksualë, transeksualë dhe interseks (LGBTI) në mbarë botën janë në rrezik për shkak të rritjes së persekutimit. Sipas një raporti të ri nga Amnesty International, qytetarët LGBTI në tre Kombet e Amerikës Qendrore po largohen nga spiralja e dhunës kundër tyre.
Një deklaratë shoqëruese e raportit, zbulon se El Salvador, Honduras dhe Guatemala të mbytura nga dhuna përballen me “nivele të diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore nga bandat kriminale dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë”.
Sipas raportit, njerëzit po ndërmarrin udhëtime të rrezikshme për në Meksikë dhe në SHBA, por as aty nuk janë të sigurt. Ata rrezikojnë diskriminimin, shfrytëzimin dhe deportimin e mëtejshëm në vendet e tyre të origjinës.
Adeline Neau, një hetuese për Amnesty International në Amerikën Qendrore dhe autore e raportit, thekson se qytetarët LGBT përballen me dhunë të vazhdueshme.
“Ata nuk mund të ndihen të sigurt në vendet e tyre, nuk mund të gjejnë drejtësi, nuk mund të gjejnë mbrojtje dhe prandaj ata më në fund vendosin të largohen”, tha ajo për kolegun nga WikiTribune, George Engels.
Një raport i ri i FBI-së zbuloi se rastet e krimeve të urrejtjes anti-LGBT janë në rritje në të gjithë Amerikën, duke theksuar epideminë e vazhdueshme të dhunës kundër transgjinorëve.
Hulumtimet për Ditën e Përkujtimit të Transgjinorëve 2017, zbuluan se 325 vrasje të njerëzve transgjinorë ishin raportuar midis 1 tetorit 2016 dhe 30 shtatorit 2017 – një rritje prej 30 personash krahasuar me shifrat e vitit të kaluar.
Sipas raportit, 69% e viktimave të vrasjeve të raportuara në Francë, Itali, Portugali dhe Spanjë – ku shumica e njerëzve transgjinorë nga Afrika dhe Amerika Qendrore dhe Jugore kishin shkuar – ishin emigrantë.
Në Evropë, Turqia ka patur 44 gra transgjinore, kryesisht punonjëse seksi, të vrara në gati nëntë vjet.
Është e rëndësishme të mbajmë ndërmend se dhuna me bazë gjinore nuk dëmton vetëm gratë. Ndërsa gratë shpesh janë viktima të një diskriminimi të tillë, personat LGBTI janë gjithashtu shumë në rrezik të homofobisë, racizmit, transfobisë, ksenofobisë dhe formave të tjera të paragjykimeve. Kaq shumë, sa që edhe kur shkojnë jashtë shtetit, persekutimi i tyre vazhdon./A.A.