Kryetari i sapo-zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku u shpreh hapur ditën e djeshme mbi mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+ në Kosovë.
Gjatë një interviste në emisionin Pressing, i pyetur mbi qëndrimet që ai ka mbi komunitetin LGBTI+, Abdixhiku u shpreh: “këto të drejta jo vetëm se duhet të mbrohen, por duhen të avancohen dhe të promovohen”.
Pas humbjes së madhe që LDK pësoi gjatë zgjedhjeve të 14 Shkurtit në Kosovë, Abdixhiku u zgjodh si kryetar i partisë gjatë kongresit të mbajtur javën e shkuar, si një figurë e re politike e cila mund të ndihmojë Lidhjen Demokratike të Kosovës me rimëkëmbjen e saj politike.
Në parlamentin e ardhshëm, LDK do të jetë në opozitë, e renditur pas Partisë Demokratike si partia e dytë opozitare.
I diplomuar në Mbretërinë e Bashkuar, më herët Lumir Abdixhiku ka shërbyar për një kohë të shkurtër si Ministër i Infrastrukturës gjatë qeverisë së parë të Albin Kurtit.
Partia LDK është një parti e qendrës së djathtë, me qëndrime kryesisht konservatore. Deri më tani, asnjë parti politike në Kosovë nuk ka dalë ende hapur si mbështetëse e kauzës LGBT+, pavarësisht qëndrimeve personale që figura politike brenda partive mund të kenë.
Burim i fotos: Prishtina Insight