Kryeministri i Luksemburgut kritikon shtetet arabe: Nëse do të jetoja këtu do të isha vrarë
Kryeministri i shtetit të vogël evropian të Luksemburgut, ka kritikuar ditën e djeshme shtetet arabe për politikat e tyre kundër komunitetir LGBTI+, duke deklaruar se nëse ai do të jetonte në ndonjërin prej vendeve të tyre, do të ishte persekutuar ose vrarë.
Xavier Bettel, është një nga liderët botëror që i përket komunitetit LGBT, i martuar që prej vitit 2015 me partnerin e tij.
Deklaratën e tij e bëri në një samit mbi marrëdhëniet bilaterale midis Bashkimt Evropian dhe Ligës së shteteve Arabe në Egjipt. Pas fjalimit të tij, një heshtje pushtoi sallën dhe munguan reagimet nga liderët e vendeve arabe ku homoseksualiteti dhe të qënit pjesë e komunitetit LGBTI+ konsiderohet ende si shkelje e rëndë e ligjit.
Drejtuesit e Bashkimit Evropian mbështetën homologun e tyre, i cili në Twitter deklaroi se ”heshtja nuk ka qenë kurrë një zgjedhje për tu konsideruar nga ana ime”.
Gjatë takimeve dypalëshe, Bettel deklaroi se prezantohej si i martuar me një burrë tjetër, veprim ky që do të sillte dënime me vdekje në shumë nga vendet pjesëmarrëse në samit./k.j