Kosova, përparim i ngadalshëm në respektimin e të drejtave të njeriut

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch raporton se përparimi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, ka qenë i ngadalshëm. Në një raport të publikuar ditën e sotme, HRW përmend spekulimet për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës si një plan shqetësues, i cili do të sillte probleme me respektimin e të drejtave të njeriut dhe me shumë mundësi dhe zhvendosje të popullatave përkatëse.
Një tjetër pikë shqetësuese mbetet funksionimi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës, e cila pritet të hetojë pretendimet për krime lufte ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Problemet në sistemin gjyqësor ndikojnë në përparimin e ngadaltë në fushën e të drejtave të njeriut.
Tensionet në Kosovën e Veriut, mbeten ende aktive dhe shqetësuese. Këto tensione ndëretnike kulmuan me vrasjen e një zyrtari serb janarin e shkuar në Mitrovicë.
Në raport përmendet dhe trajtimi i minoriteteve, kryesisht atyre gjuhësore dhe etnike si romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, të cilët raportojnë probleme përsa i përket aksesit në institucionet arsimore dhe shëndetësore të vendit, mungesa e trajtimit me ndihmë sociale si dhe probleme me pajisjen me dokumenta zyrtare.
“Nuk ka pasur progres të dukshëm apo të raportuar drejt integrimit të këtyre komuniteteve pakicë”, thuhet në raport.
Përsa i përket komunitetit LGBTI+, shqetësuese mbetet gjuha e urrejtjes por edhe sulmet fizike. Gjatë muajit tetor, muaj kur mbahet dhe Parada e Krenarisë shihet një shtim i kërcënimeve dhe postimeve online që përmbajnë gjuhë diskriminuese dhe urrejtjeje ndaj këtij komuniteti.
Shqetësues mbetet dhe krimi në familje dhe pengimi i gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre. Në raport përmendet dhe rasti i dëbimit të shtetasve turq pas kërkesave për ekstradim nga Turqia, ku Kosova ka shkelur normat ndërkombëtare përsa i përket trajtimit të rasteve të dëbimit të shtetasve të huaj./k.j
Burimi: Evropa e Lirë