Procesi i daljes hapur si person LGBTQ+ është një proces shumë i rëndësishëm per personat LGBTQ+, pa marrë parasysh se në cilën pikë të këtij procesi ata/o mund të jenë.
Për disa persona, ky proces është i rehatshëm, mikpritës dhe i kënaqshëm, sidomos kur ata/o janë në ambiente miqësore dhe dashamirëse. Kurse, për disa të tjerë, ky proces mund të jetë stresues, i frikshëm. Për disa të tjerë mund të jetë edhe i parealizueshëm, i pamundur.
Validiteti i personave LGBTQ+ nuk varet nga ky proces.
Gjithsesi, nuk ka ndonjë mënyrë të saktë se si dikush mund të dalë hapur si person LGBTQ+. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se rrethana të ndryshme kërkojnë veprime të ndryshme. Rrjedhimisht, procesi i daljes hapur, i njohur edhe si “coming out”, është unik dhe ndryshe për çdo person.
Në rast se jeni duke menduar të dilni hapur te ndonjë shok/shoqe, familjar, vend pune apo kudo tjetër, poshtë po i listojmë disa këshilla për t’ju lehtësuar këtë proces. Por fillimisht, po ju rikujtojmë se nuk ka ndonjë mënyrë të saktë se si duhet të dilni hapur. Më e rëndësishmja është siguria dhe mirëqenia juaj dhe mundësisht përkrahja nga persona të tjërë, qofshin miq, kolegë, psikologë etj.
1. Nuk je vetëm
Procesi i daljes hapur është proces i ngarkuar emocionalisht e psiqikisht. Nevoja e të dalurit hapur është shumë e kuptueshme dhe për disa e domosdoshme. Por, duhet të kihet parasysh se mënyra e reagimit të njerëzve afër jush pasi të dilni hapur, nuk ka të bëjë me ju, ka të bëjë me ata.
Ti nuk je i vetmi person që po kalon në këtë proces. Shumë njerëz kanë kaluar, kalojnë dhe do të kalojnë në këtë rrugë, edhe pse ndoshta në tempo të ndryshme. Po ashtu, ka shumë material, histori personale dhe mediume ku mund të mësoni e të këshilloheni para se të kaloni nëpër këtë proces. Prandaj, është e nevojshme, nëse është e mundur, që paraprakisht të hulumtoni, lexoni e besa edhe diskutoni rreth këtij procesi para se të merrni vendimin për të dalë hapur. Informacioni mbi këtë çështje do t’ju ndihmonte të ndiheni më rehat me veten dhe situatën, do t’ju përgatiste për reagime të ndryshme që mund të hasni, do t’ju përgatiste edhe për ndryshimet eventuale në jetën tuaj, etj.
2. Kujdes me kë flisni
Konsiderojeni me kujdes personin e parë më të cilin dëshironi të diskutoni mbi indetitetin tuaj. Ky person mund të jetë kushdo që ju bën të ndiheni mirë dhe të sigurt. Ky person mund t’ju ndihmojë për të dalë hapur edhe te njerëzit e tjerë afër jush. Nëse keni frikë t’ia thoni direkt, mund t’i shkruani edhe letër apo email dhe t’ju lini hapësirë për ta proçesuar informacionin. Mënyrën e “kumtimit” e zgjidhni ju vet, çkado që ju bën të ndiheni rehat dhe të sigurt.
3. Rrethanat
Është shumë e rëndësishme ta gjesh kohën e duhur për të dalë hapur, nëse rrethanat nuk të obligojnë ndryshe. Pra, tentoni të gjeni një kohë kur nuk keni shumë gjëra që ju stresojnë. Po ashtu, nëse mendoni se dalja hapur te prindërit a persona të tjerë mund të ju vërë në rrezik, konsiderojeni nëse është koha e duhur të dilni hapur ta. Për ju është e favorshme nëse i analizoni rrethanat para se të merrni vendimin për të dalë hapur, sidomos duke marrë parasysh se jeta juaj mund të ndryshojë përgjithmonë.
4. Individualisht
Evitoni daljet hapur në grupe njerëzish, e aq më pak në festa familjare. Është më e rehatshme, ani pse ndoshta jo për të gjithë, që të flisni individualisht me familjarët apo personat e tjerë më të cilët dëshironi të flisni hapur për identitetin tuaj. Njerëzit mund të reagojnë ndryshe kur janë në grup dhe ndryshe kur janë vetëm. Po ashtu, nëse filloni diskutim individual me një person, mund t’i bëni ata të ndihen më të afërt me ju.
5. Përgatitu
Jo të gjithë njerëzit do t’ju kuptojnë. Kjo nuk do të thotë që nuk ju duan, por kjo nuk do të thotë as që duhet të përballeni me komente negative ose me urrejtje. Është e shëndetshme ta përgatisni veten për çdo skenar të mundshëm që mund të ndodhë kur të dilni hapur. Po ashtu, lajmi se ju jeni person LGBTQ+ mund të jetë shokues për njerëzit afër jush dhe rrjedhimisht ata mund të reagojnë keq. Është mirë të tentoni të kuptoni edhe situatën e tyre. Mënyra se si reagojnë në fillim mund të mos jetë qëndrimi i tyre përgjithmonë. Nuk ke nevojë të ballafaqohesh me situata negative, por është mirë të tentohet të gjendet një gjuhë e përbashkët.
6. Kërko ndihmë
Nëse procesi i daljes hapur nuk ka shkuar sipas planeve e pritshmërive të tua dhe ke nevojë për ndihmë, kërko ndihmë sa më shpejt. Mund të drejtoheni te një i rritur që i besoni, te një psikolog/e, në institucione etj. Nëse jeni në Shqipëri, ju mund të drejtoheni edhe tek ne, te Aleanca LGBT dhe/apo Streha LGBTQ+.
Këto janë disa prej këshillave që ne ju inkurajojmë t’i konsideroni. Ka edhe shumë këshilla e manuale të tjera që mund të gjeni online, në shqip e në anglisht, rreth këtij procesi. Andaj, ne ju ftojmë që sipas mundësivë të hulumtoni më shumë për këtë proces paraprakisht. Gjithsesi, validiteti juaj nuk varet nga ky proces.
Ju nuk jeni vetëm! Ju jeni të rëndësishëm! Ju keni vlerë dhe meritoni dashuri ashtu siç jeni!/Agon Rexhepi