Kei: “Hyrja në Big Brother është pjesë e aktivizmit tim për të drejtat e personave LGBTI”
Kei, një nga vajzat lesbike të këtij edicioni të Big Brother, edhe pse nuk është më pjesë e garës do të mbetet një nga lojtarët më të spikatur. Në një intervistë për Panorama, Kei shpjegon arsyen pse vendosi të marrë pjesë në garë dhe jetën e saj jashtë atij reality show.
Prej vitesh Kei është aktiviste e lëvizjes LGBTI në Shqipëri dhe shpjegon se kjo e ka nxitur të marrë pjesë në garë. “Hyrja ime në “Big Brother” është pjesë e angazhimit tim në aktivizimin për të drejtat e personave LGBTI dhe rritjen e vëmendjes karshi çështjes në fjalë. Ambicia ime kryesore është të jetoj e sinqertë dhe e vërtetë me veten dhe të tjerët dhe t’i lejoj vetes gjithashtu të shijoj të mirat dhe të këqijat e kësaj jete deri në fund”, është shprehur për gazetën Panorama.
Jeta e personave LGBTI në Shqipëri është mjaft e vështirë, sipas studimeve 76% e komunitetit LGBTI përjetojnë dhunë psikologjike nga familja, shoqëria apo kolegët e punës. Kjo është theksuar edhe nga Kei, e cila thotë se pavarësisht se ajo vet është mbështetur nga familja, “jeta e personave LGBTI është në mënyrë konstante e mbushur me privime dhe përjashtim, për këtë arsye unë u jam bashkuar kolegëve të tjerë të mi në mbrojtje të kësaj kauze për të ndihmuar që njerëz si ne të mund të jetojnë më mirë, me dinjitet dhe të lirë”.
Kei, me profesion punonjëse sociale, tha se deklarata në televizion mbi orientimin e saj seksual nuk ka sjellë asnjë ndryshim për të. “Siç kam thënë edhe më parë gjatë gjithë jetës sime jam shprehur hapur mbi orientimin tim seksual”, ka përfunduar Kei për Panorama. /m.g/
Shkrimi i plotë: panorama.com.al