Kandidatja transgjinore për Kryeministre në Tajlandë

Dikur drejtues i një kompanie private dhe promovues i sporteve në Tailandë, Pinit Ngarmpring ishte një emër shumë i njohur për futbollin tajlandez. Sot, si Pauline, ajo po përpiqet të fitojë garën elektorale për tu zgjedhur kryeministrja e parë transgjinore e vendit.
52-vjeçarja është kandidate pretendente për postin e Kryeministres në zgjedhjet e përgjithshme të cilat priten të mbahen ditën e nesërme më 24 mars.
Ajo thotë se beteja e saj politike do të jetë për brezat e rinj, për ato të cilët nuk besojnë më në sistemin aktual politik dhe njëkohësisht dëshiron të ngjallë shpresë për komunitetet e margjinalizuara dhe të hapë hapësirën politike për gjeneratat e ardhshme të personave LGBT+.
Fushata e saj është pritur me mjaft entuziazën në zona të varfra të vendit dhe në disa nga lagjet më të varfëra dhe të rrezikshme të Bangokut. Ajo kandidon për partinë Mahachon, një prej forcave kryesore të rëndësishme në Tajlandë e cila në këto zgjedhje kandidon me 20 persona përfaqësues të komunitetit LGBT+. Përmes agjendës së tyre liberale ato po përpiqen të marrin mbështetjen e komuniteteve të margjinalizuara, të varfërve dhe madje dhe punonjëseve të seksit, për të cilët kanë parashikuar legalizim të prostitucionit në një nga destinacionet kryesore të turizmit të seksit për të huajt, veprim që do të sillte dhe uljen e kriminalitetit dhe rreziqeve me të cilat ato përballen përditë.
Gjatë fushatës dhe vizitave në terren, janë të shumtë qytetarët që ndalojnë Pauline për të shkrepur një selfie apo për ta përshëndetur. Në media ajo është kthyer në një sensacion.
E pa angazhuar më parë në politikë, gjatë muajve të fundit ajo ka marrë përsipër të luftojë për kauzën e barazisë dhe pranimit të komunitetit LGBT+ në shoqëri. Pavarësisht imazhit që shteti i Tajlandës përpiqet të promovojë në botë, anëtarët e këtij komuniteti mbeten ende shumë të diskriminuar dhe jeta e tyre rrezikohet përditë.
Kauza e saj për liri dhe të qënurit pjesë vetë e një komuniteti të diskriminuar, duket se ka ngjallur shpresën te shumë qytetarë që janë të lodhur nga sistemi politik ku dy partitë më të mëdha të vendit qeverisin të pakontestuara dhe thjesht zëvendësojnë njëra-tjetrën me anë të grushteve të shtetit.
Çfarëdo që të jeni, keni vlerën tuaj. Ju duhet të doni fillimisht veten dhe më pas të ndani ndjenjën e dashurisë dhe me të tjerët.
Rezultati, sipas Ngarmpring, pritet të jetë deri në 10 ligjvënës në Parlament, falë një sistemi të ri zgjedhor që ndan disa nga vendet përmes përfaqësimit proporcional. Por, edhe duke pasur parasysh pikëpamjen tradicionale të pranimit të rrjedhshmërisë seksuale, ajo e pranon se nuk është e destinuar për të udhëhequr vendin.
“Nuk mendoj se do të jem kryeministre, por kjo nuk ka rëndësi. Do të duhet pak kohë dhe nuk do të jetë fundi i botës pas këtyre zgjedhjeve.” – deklaron ajo.
“Nuk duhet të jem unë, por mund të jetë dikush nga brezi i ardhshëm”. /k.j