Janset Kalan: Dëshiroj që njerëzit t’i dëgjojnë transgjinorët, të përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë
Shkruar nga: Dafina Halili
Fotografia: Fikret Ahmeti
TRANSGRUAJA DHE AKTIVISTJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT DISKUTON PËR LIRITË THEMELORE DHE DISKRIMINIMIN TRANSGJINOR NË TURQI.
Pembe Hayat fokusohet në çështje të të drejtave transgjinore, duke bashkëpunuar me OJQ dhe organizata LGBTI për t’i ndihmuar organizatat tjera që t’i kuptojnë më mirë problemet dhe nevojat e personave transgjinorë, si dhe për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit në lidhje me përpjekjet e tyre kundër krimeve të urrejtjes e diskriminimit, dhe qasjen në të drejtat fundamentale.
K2.0 bisedoi me Kalan gjatë konferencës dhe e pyeti atë për aktivizmin transgjinor në Turqi, vizibilitetin e transgjinorëve dhe ndikimin e politikave të President Tayyip Erdogan në lidhje me çështjet e LGBTI.
K2.0: Parada e parë LGBTI në Turqi u organizua në vitin 2003. Çfarë rëndësie kishte sa i përket rritjes së dukshmërisë së lëvizjes LGBTI, dhe kur u bënë tamam të dukshme çështjet transgjinore në Turqi?
Janset Kalan: Në vitin 1993 lëvizja e të drejtave LGBTI u përpoq që ta mbante “pride parade” (paradën e krenarisë); e quajtën ‘çlirimi homoseksual’ dhe ftuan shumë njerëz prej jashtë vendit – nga Gjermania, Holanda etj. – dhe mbajtën disa seminare. Në ditën e fundit deshën ta zhvillojnë paradën, por policia i sulmoi dhe i internoi përfaqësuesit e tyre, përfshirë disa anëtarë të Parlamentit Evropian – i internuan të gjithë nga vendi, dhe arrestuan aktivistët LGBTI. Pas vitit 1993, ishte e pamundur që të zhvillojmë paradë të krenarisë, deri në vitin 2003.
Në Kosovë shpeshherë konsiderohet që transburrat pranohen pak më shumë në shoqëri se transgratë, pjesërisht për shkak të traditës së vjetër shqiptare të Burrneshave. A përballen transgratë dhe transburrat me nivele të ndryshme të paragjykimit në Turqi?
Jo. Të qenit grua të imponon disa detyra – duhet të bësh fëmijë, të martohesh. Pra nëse në lindje të është dhënë gjinia femërore, dhe në jetë vendos që nuk je grua – je transburrë, ose e identifikon vetën si burrë – pastaj bëhet problem në familje dhe në shoqëri sepse mendojnë që je duke hequr dorë nga të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë. Përballesh me të gjitha këto paragjykime, njejtë siç përballen edhe transgratë [paragjykime të njerëzve që mendojnë që je duke hequr dorë nga përgjegjësitë e tua si burrë].
Shumë organizata të të drejtave të njeriut thonë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë rritur prej kur ka ardhur në fuqi Erdogani. Çfarë ndikimi ka kjo në aktivizmin LGBTI?
Në Turqi, veçanërisht prej vitit 2015, është bërë shumë më e vështirë që të merremi me aktivizëm, sepse qeveria po burgos çdo grup opozitar. Në rregull, nuk kanë prekur aktivistë LGBTI, por këta njerëz që janë tani në burg janë aleatët tanë më të mëdhenj. Janë mbështetësit tanë më të mëdhenj dhe janë njerëz me të cilët mund të kontaktonim shumë lehtë, njerëz në mesin e të cilëve mund të shpërndanim dituri dhe të rrisnim nivelin e ndërgjegjësimit publik më lehtë. Janë njerëz të sindikatave, janë punëtorë, janë mësues, janë avokatë, dhe në fakt na duhen avokatë në këtë fushë, në mënyrë që të kërkojmë drejtësi për persona LGBTI. Pra në fund kur shikon përreth, kemi mbetur krejtësisht të vetmuar.
Të vetmit që nuk janë në burg janë organizatat LGBTI, dhe ne [organizatat transgjinore]; duhet të bashkëpunojmë me njëri – tjetrin, duhet të zhvillojmë një valë të re të aktivizmit. Me përpjekjen e sivjetme për puç, e kanë zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për tre muaj, dhe është shumë vështirë që të bëjmë avokim.
Po në shoqëri në përgjithësi? A janë pasqyruar veprimet e Erdoganit në shoqëri, dhe a e kanë bërë atë më pak tolerante?
Shoqëria ka ndryshuar. Agresioni dhe dhuna në shoqëri janë shtuar, por jo vetëm ndaj personave transgjinorë dhe LGBTI në përgjithësi. Janë kundër çdo lloj minoriteti, sepse njerëzit po shkarkohen nga puna e po shtypen, dhe kështu po bëhen shumë agresiv në rrugë.
Ndonjëherë familja dhe shoqëria mendojnë që [të qenit fetar] është pozitive. Mendojnë që nëse falesh e kësi sende, je person i mirë.
Si është skena e klubeve gej në Ankara?
Në Ankara nuk kemi vende specifike e klube gej, por janë disa vende që na presin mirë dhe kanë stikera të flamurit të ylbertë në dyer. Aty lirisht mund të shkojmë e të relaksohemi, dhe nuk na diskriminon askush. Janë disa vende të tilla.
A keni përjetuar ndonjë situatë të vështirë, sulm ose ngacmim për shkak të identitetit tuaj gjinor?
Më duket se për herë të parë më ndodhi para dy viteve, kur u sulmova nga tetë të rinj. Shkova vetë në polici sepse nuk kisha askënd [që të vinte me mua]. Ndodhi në një park qëndror të qytetit tim, dhe ishte gjatë Ramazanit; të gjitha familjet ishin në park duke bërë piknik dhe unë isha me miq, gjithashtu duke bërë piknik. Tetë djem erdhën dhe më rrahën shumë – miqtë e mi fatmirësisht arritën të ikin.
Shkova në stacion të policisë, e regjistruan [rastin], e raportuan me deklaratën time e krejtë. Shkuam te lokacioni ku ndodhi incidenti, por nuk i gjetëm [autorët e krimit]. Nuk kishte kamera, dhe kështu dosja u mbyll.
Çfarë rëndësie ka mbajtja e konferencave të tilla LGBTI?
Mendoj se është shumë e rëndësishme, sepse është mundësi e mirë për aktivistët e rajoneve të këtij lloji, ku mundësitë janë shumë të kufizuara që të bëhen bashkë, t’i ndajnë përvojat e tyre dhe të zhvillojnë politika rajonale që mund të kenë ndikim në politikat lokale, si dhe në politika ndërkombëtare, sepse procesi i integrimit në BE është duke ndodhur në shumicën e vendeve të këtij rajoni.
Kur shkon në BE dhe një nga një flet për probleme, në fakt nuk ka kuptim sepse ata dëgjojnë probleme të tilla vazhdimisht. Por kur i sjell si probleme rajonale që i ngjajnë njëra tjetrës – mënyra se si autorët e krimit sulmojnë, mënyra se si diskriminohen viktimat, fakti që nuk kemi qasje në të drejta themelore – atëherë e kuptojnë që këto probleme janë rajonale, dhe duhet të reagojmë ndaj tyre.
Cilat janë idetë e gabuara dhe paragjykimet më të mëdha që njerëzit i kanë në lidhje me personat transgjinorë?
Paragjykimi më i madh është që jemi maniakë seksual. Ky është paragjykimi më i madh. Mendojnë që jemi transgjinor sepse duam të bëjmë seks.
Një pjesë shumë e madhe e njerëzve besojnë që transgratë sulmojnë e rrahin njerëz, por në anën tjetër, ata janë të dhunshëm, jo ne.
Cila është gjëja më e madhe që do të donit njerëzit e tjerë t’i kuptojnë për transgjinorët?
Kam dëshirë që njerëzit të kenë më shumë kontakt me persona trans në lagjet e tyre, qytetet e tyre, sepse ka persona trans çdokund. Kontaktoni me ta, dëgjojini ata dhe mundohuni që t’i kuptoni e pranoni. Nuk keni nevojë t’i doni, por duhet t’i respektoni./A.A.