Irlanda përmirëson të drejtat e lezbikeve
Republika e Irlandës do të lejojë lezbiket që të vendosin emrin e tyre si prindër në certifikatat e llindjes së fëmijëve. Qeveria në vend ka miratuar një projektligj që lejon mamatë lezbike të regjistrohen si prindër në dokumentet zyrtare.
Projektligji mbi Regjistrimin Civil në vitin 2019 lejon të gjithë çiftet e lezbikeve të regjistrohen ose ri-regjistrohen si prindërit e fëmijëve të adoptuar ose të lindur përmes farëzimit in-vitro. Një kërkesë për koment i është drejtuar Departamentit për Mbrojtje Sociale për të sqaruar nëse prindërit gej do të jenë në gjendje të kenë të njëjtat të drejta.
Ministria pranë këtij departamenti, Regina Doherty theksoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji duke sqaruar: “Këto ndryshime në ligj vërtet që do të afektojnë një numër relativisht të vogël të njerëzve, por ndryshimet lidhen me çështje që janë mjaft sensitive dhe të një rëndësie të madhe për familjet e prekura”. Ndërkohë rikujtojmë se Irlanda ka kryer hapa të mëdhenj në një numër çështjesh të lidhura me të drejtat LGBT+ në vend.
Në 2015 Irlanda miratoi Ligjin për Njohjen e Identitetit Gjinor, duke lejuar personat transgjinorë për të ndryshuar shënjuesin e identitetit gjinor bazuar mbi një sistem të vetë-deklarimit, pa nevojën e dokumenteve mjekësore. Këto iniciativa tregojnë se Irlanda është shumë përpara krahasimisht me vendet e tjera në progresin ndaj të drejtave LGBTI+./k.m/
Burimi: Pink News