Intervistë me Tornike Kusiani, aktivisti LGBT gjeorgjian që u sulmua fizikisht nga policia
Lajme të këqija erdhën për komunitetin LGBT dhe aktivistët teksa u raportua dhunimi i dy aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji Levan Berianidze dhe Tornike Kusiani. Në 25 Gusht dy aktivistët ishin së bashku me miqtë e tyre transgjinorë kur u sulmuan nga një grup individësh të panjohur dhe më pas edhe nga vet policia.
Edhe pse Tornike dhe Levan ishin viktima të këtij incienti, mbi ta rëndon akuza për huliganizëm dhe prishje të rendit. Pavarësisht periudhës së vështirë që po kalon, Tornike pranoi ftesën për intervistë për portalin Historia Ime. Në këtë intervistë ai na jep detaje se çfarë ndodhi mbrëmjen e 25 Gushtit dhe se sa e vështirë është të jesh aktivist LGBT në Gjeorgji.
Natën e 25 Gushtit dy aktivstët së bashku me miqtë e tyre transgjinorë po hynin në një klub në Batumi të Gjeorgjisë kur dikush që ishte në biçikletë aty afër zbret dhe qëllon njërin prej tyre, një grup njerëzish nisën t’i ofendonin me fjalë fyese edhe pse pak metra më tutje ndodhej patrulla e policisë. Tornike vendos të kontaktojë policinë, meqenëse ajo që ndodhej në vendngjarje s’po bënte asgjë. Por oficerët e policisë iu afruan dhe nuk e lanë të bënte telefonatën. Ata e tërhoqën për në komisariat të policisë dhe atje dy aktivistët iu nënshtruan sërish dhunës dhe akteve turpëruese nga ana e policëve.
Gjatë intervistës lindi natyrshëm pyetja se pse pas gjithë kësaj ngjarje për aktivistët LGBT, ata marrin akuzën e prishjes së rendit publik dhe huliganizëm ndaj forcave policore. “E vërteta është se në momentin kur policia na mori zvarrë për në komisariat janë regjistruar britmat dhe zërat tanë që bërtisnim të frustruar dhe shanim pse lejuan që të na rrihnin. Regjistrimi është nxjerrë jashtë konteksti dhe kthyer në favor të policisë sikur kjo e fundit erdhi për të na shpëtuar pasi na kishin rrahur persona të paidentifikuar.Ndaj gjykatësi vendosi këtë akuzë ndaj nesh, duke u bazuar vetëm në këtë regjistrim’’, rrëfen Tornike.
Nisur nga rasti në fjalë Tornikë tregon për paaftësinë e sistemit të drejtësisë në Gjeorgji për të mbrojtur personat LGBT. “Incidente të tilla kur raportohen pranë autoriteteve përkatëse nuk konsiderohen asnjëherë si krime të urrejtjes. Edhe pse kemi miratuar tashmë ligjin e anti-diskriminimit në kushtetutën tonë, ai mbetet vetëm në letër. Homofobia mbetet e theksuar në çdo nivel dhe instancë shtetërore”.
Sa i përket medias Tornike nuk heziton ta cilësojë median gjeorgjian si homofobike. “Ne shpesh ftohemi nëpër debate televizive për të folur rreth çështjeve të komunitetit por në panelin përballë kemi të ftuar politakën dhe lider që na kërcënojnë me jetë. Dhe kjo ndodh drejtpërsëdrejti në një emsion televiziv”.
Në fund të intervistës Tornike jep një mesazh të fortë për të gjithë personat që ndrydhen për shkak të seksualitetit të tyre:
‘’Do desha të thoja se pavarësisht ndodhive të fundit nuk kam frikë të luftojë edhe më fort për të drejtat e komunitetit LGBT. Mbështetja që kammarrë ditët e fundit është ajo që na nevojitej. Dua të falenderoj cdokënd që na kanë dërguar letra mbështetëse. Ishte shumë e vështirë për tu kaluar kjo periudhë e ngarkuar emocionalisht. Solidariteti midis aktivistëve i forcon përpjekjet tona’’.
Kristina Millona