Intervistë me Kristi Pinderin: “E vlerësoj aktivizmin si gjënë më të rëndësishme në jetën time”
*Ky artikull është pjesë e një cikli intervistash me aktivistë që kanë dhënë kontribut për kauzën LGBT në rajonin e Ballkanit.
Kristi Pinderi është një aktivist shqiptar për të drejtat e komunitetit LGBT dhe gazetar me rezidencë në Kanada. Ai është themelues i organizatës “Pro-LGBT” në Shqipëri. Në një artikull për “Dailyxtra”një media kanadeze, ai ka folur për situatën e vështirë në të cilën gjendet komuniteti LGBT në Shqipëri, dhe arsyet që e kanë detyruar të largohet drejt Kanadasë, së bashku me partnerin e tij,
Një përmbledhje të shkurtër të arritjeve që ju keni bërë në aktivizmin për çështjet LGBTI në Shqipëri.
Përmbledhtazi, kur ne nisëm aktivizmin në vitet 2000, kauza nuk ishte pjesë e diskursit publik. Tani është vënë në fokus të grupit dhe është pjesë e çdo progres raporti të BE, si dhe pjesë e diskutimeve mbi politikat sociale. Në fillmet tona ne ishim shumë të fshehur në aktivitetet që bënim kurse tani situata është krejt ndryshe: njerëzit e kanë më të lehtë të bëjnë “coming out”, aktivitete publike organizohen çdo vit, legjislacioni është përmirësuar ndjeshëm, partitë politike flasin për çështjet LGBT, si dhe kemi themeluar shërbime si streha, linja e këshillimit online të dedikuar ndaj komunitetit LGBT etj. E ndjej se kemi fuqizuar shumë njerëz. A nuk është e mrekullueshme?
Cilat kanë qenë arsyet qe ju kanë detyruar të largoheni nga vendi juaj?
Isha shumë i lodhur nga të qenurit në shënjestër të kërcënimeve dhe urrejtjes. Çdo mesazh kërcënues në përditshmërinë time ose në rrjetet sociale ishte një rikujtesë për mua dhe partnerin tim se ne po jetonim një jetë plot me rreziqe. E kuptova se nuk isha në gjendje ta mbroja partnerin tim, i cili nisi të kishte momentet e tij të debolesës. Nisa të kuptoj se nuk kisha më kontroll të plotë të jetës sime. Pas kaq vitesh të rrethuar nga urrejtja, e kuptova se nuk mund ta përballoja më.
Një ditë u ula përballë kompjuterit dhe po lexoja të gjitha mesazhet e tmerrshme që njerëzit më shkruanin, të nisur dhe nga deklarata homofobike e një politikani të mirënjohur. Isha i shokuar nga niveli i urrejtjes. Kjo urrejtje buronte nga të gjithë: nga një mësuese e mirë-shkolluar, inxhinier, ndesha mallkime nga nëna, baballarë, me të vërtetë që urrejtja nuk njihte limit.
Mamaja ime ishte larguar nga jeta dhe papritur frika ime u theksua teksa e gjeta veten duke jetuar vetëm në një apartament në periferi të Tiranës. Fatmirësisht një mik i yni na ftoi të jetonim në Kanada duke na udhëzuar për të gjithë hapat që duhet të ndërmerrnim. Më në fund pashë entuziasmin në sytë e partnerit tim.
Ende jam shumë i paqartë por e dij se nuk do të qëndroj larg Shqipërisë përgjithnjë. Për momentin jam i lumtur pasi po kujdesemi për veten dhe jetët tona.
A do të jepnit sërisht te njëjtin kontribut nëse do ju jepej mundësia?
Nuk do të ndryshoja asgjë dhe do ta bëja sërish. E vlerësoj aktivizmin si gjënë më të rëndësishme në jetën time.
Po në shtetin e ri ku jeni shpërngulur, a vijoni të merreni me aktivizëm?
Unë punoj për një organizatë jo-qeveritare në Vankuvër që ofron mbështetje dhe qera ekonomike për njerëzit që nuk mund ta paguajnë një qera në një qytet kaq të shtrenjtë sikurse Vankuvëri. Puna ime konsiston në mbështetjen emocionale në përditshmërinë e këtyre qira-marrësve. Partneri im punon për provincën e Surrey, një pjesë e rëndësishme e qytetit të Greater Vancouver. Gjithashtu bëj punë vullnetare për organizata lokale LGBT si dhe për një organizatë që punon për persona të infektuar me HIV.
Gjithashtu kam ofruar asistencën time për avokatët e emigracionit në Kanada duke përfaqësuar klientët LGBT nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë jam në kontakt të vazhdueshëm me organizatat LGBT në Shqipëri, duke dhënë këshilla. Nëse çdo gjë ecën sipas planeve, do dëshiroja të shkoja në Universitet dhe të ndiqja program studimi për çështje të LGBT, pjesë e studimeve gjinore. Kam filluar të kuptoj se është shumë e rëndësishme që aktivizmi të kombinohet me aftësi dhe kompetenca të tjera.
/l.k/