Imami shqiptar i Bernës thotë se homoseksualët s’kanë vend në xhaminë e tij
Imami i Xhamisë shqiptare të Bernës dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Shqiptarëve të Zvicrës, Mustafë Memeti është bërë një personalitet i njohur për opinionin zviceran me pikëpamjet e tij të hapura lidhur me islamin dhe për kundërshtimin pa ekuivoke që i bën radikalizmit islamik.
Si i tillë ai ka fituar një simpati të pakontestueshme në mesin e medieve dhe politikës zvicerane.
Vitin e kaluar imami Memeti është zgjedhur “zviceran i vitit” nga gazeta “Sonntagszeitung”.
Sonte në televizionin publik të Zvicrës, srf emetohet një emision mbi Imamin Mustafë Memeti dhe “Shtëpinë e Religjioneve”, të hapur një muaj më parë, shtëpi në të cilën ai drejton xhaminë, transmeton albinfo.ch.
Por, përveç imazhit pozitiv si njeri mendje hapur e tolerant, kësaj here, siç shkruan në portalin e srf.ch autori i emisionit, imamit shqiptar i është bërë një pyetje më e ndjeshme. Duke iu referuar motos së Shtëpisë së Religjioneve dhe xhamisë, si shtëpi e hapur për të gjithë, pyetja e gazetarit ka qenë: a është e hapur xhamia juaj edhe për homoseksualët? Dhe, Mustafë Memeti është përgjigjur negativisht: “Jo, homoseksualët nuk duhet të vijnë në xhaminë tonë. Një njeri homoseksual nuk fiton legjitimitet prandaj as bekim nga islami”.
Gazetari i prekur nga kjo përgjigje ka kujtuar rastin e priftit katolik nga komuna Bürglen. Para disa muajsh ai kishte shkaktuar një skandal duke bërë bekimin e një çifti homoseksualësh në kishën e tij. Ky rast kishte shkaktuar një debat të gjerë dhe të ashpër në opinionin zviceran, shkruan albinfo.ch. Prandaj gazetari propozon që një debat i tillë do të ishte i dëshirueshëm edhe në raport me përfaqësuesit e religjioneve tjera.
Emisioni përcjell imamin Mustafë Memeti gjatë një dite të tij të punës, në xhami po edhe në burgjet ku ai shkon për t’u ofruar shërbime fetare të burgosurve./indeksonline.net