I lutesha zotit të bëhesha vajzë

Kur Abby Stein doli hapur si transgjinore, ajo tronditi tërë komunitetin ultra-ortodoks Hasid. Si një pasardhës i drejtpërdrejtë i themeluesit të Judaismit Hasidik, Baal Shem Tov, prindërit e Abby-t e konsideronin djalin e tyre të parë një rabin të ardhshëm – por ajo këmbëngulte se ishte vajzë.
Im atë është rabin, dhe të kishte djalë ishte një punë e madhe. Ai gjithmonë më thoshte se pas pesë vajzave, pothuajse kishte hequr dorë nga të pasurit djalë, dhe sa shumë vlerë kishte kjo për të. Unë pothuajse jam ndier keq për të gjatë gjithë fëmijërisë sime – një ndjenjë si: “Më vjen keq, por nuk mund të të jap atë që dëshiron.”
Nuk e dija se kishte njerëz të tjerë si unë, por e dija se çfarë ndjeja – thjesht e shihja veten si vajzë.
Ndonjëherë dëshiroj që të kisha patur mësues transfobik, sepse do më bënte të kuptoja që njerëz si unë ekzistonin. Në komunitetin Hasid thjesht nuk flitej kurrë për këtë.
Ajo që më mbajti të shëndetshme mendërisht në fëmijëri ishte imagjinata ime.
Kur isha gjashtë vjeç, fillova të mblidhja copa gazetash në lidhje me transplantet e organeve – mushkëri, veshka, zemër,etj. Në mendjen time, plani ishte i thjeshtë: një ditë, do të shkoja te një doktor, do ti tregoja koleksionin tim mbresëlënës të artikujve në gazetë, dhe ai do të kryente një transplantim të plotë trupi, duke më kthyer në vajzë.
Kur u rrita pak, kuptova që nuk ishte realiste, kështu më erdhi ideja tjetër, tia kërkoja Zotit. Unë u rrita në një familje shumë fetare dhe na ishte thënë që Zoti mund të bënte gjithçka.
Kështu që, në moshën nëntë vjeçare, shkrova këtë lutje të cilën e thosha çdo natë: “Krijues i shenjtë, unë do të fle tani dhe dukem si një djalë. Po të lutem, kur të zgjohem në mëngjes dua të jem vajzë. E di që ti mund të bësh gjithçka dhe asgjë nuk është shumë e vështirë për ty …
“Nëse e bën këtë, unë premtoj se do të jem vajzë e mirë. Do të vishem me rrobat më modeste. Do t’i përmbahem të gjitha urdhërimeve që vajzat duhet t’i zbatojnë.
“Kur të rritem, do të jem bashkëshortja më e mirë. Do ta ndihmoj burrin tim të studiojë Torah tërë ditën dhe tërë natën. Do të gatuaj ushqimet më të mira për të dhe fëmijët e mi. Oh Zot, më ndihmo.”
Komuniteti Hasid është shoqëria më e segreguar gjinore që kam njohur ose dëgjuar ndonjëherë – dhe unë kam hulumtuar shumë bashkësi të segreguara gjinore.
Madje ka disa bashkësi Haside në New York, ku burrave dhe grave u thuhet të ecin në anët e kundërta të rrugës.
Që në momentin që fillon arsimin parashkollor, sekset janë tërësisht të ndarë. Djemve dhe vajzave u thuhet të mos luajnë së bashku.
Edhe pse në ligjin hebraik nuk ka asnjë ndalim të përqafosh ose mbash për dore motrën ose nënën tënde, kjo gjë prapë konsiderohej si diçka që djemtë Hasidë nuk duhet ta bënin.
Kurrë nuk pashë askënd të zhveshur. Nuk e dija që motrat e mia dhe unë kishim pjesë trupi të ndryshme. Asnjëherë nuk është diskutuar kjo.
Dhe kështu, kur isha katër vjeç, kisha këtë ndjenjën e zemërimit të fortë ndaj pjesëve të mia private. Ato nuk ndjeheshin si pjesë e imja. Ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e fortë që nuk mund ta shpjegoj as sot.
Në atë kohë, nëna përgatiste banjën dhe më linte të luaja me lodrat në vaskë.
Ajo mbante një tabaka të vogël me paramanda në dollapin pranë lavamanit, dhe unë përvidhesha dhe i merrja ndonjë paramandë dhe shpoja atë pjesë shumë specifike të trupit tim.
Nuk është diçka që inkurajoj njerëzit që ta bëjnë, por doja që ajo pjesë të ndiente dhimbje, pothuajse si ndëshkim për të.
Një herë nëna ime më kapi duke bërë pikërisht këtë gjë dhe u tmerrua. Nuk mbaj mend çfarë tha saktësisht, por ishte një mesazh shumë i qartë: “Ti je djalë dhe duhet të veprosh si i tillë, dhe kurrë mos thuaj asgjë që mund ta sfidojë këtë fakt.”
Në moshën tre vjeçare, djemtë Hasidë presin flokët për herë të parë. Kjo quhet upsherin, atëherë fitohen kaçurrelat anësore, ose payos. Ky është lloji i parë i manifestimit fizik që i tregon botës dhe vetes që je djalë.
Unë nuk doja ti prisja flokët. Po bëja skena për orë të tëra. “Dua të kem flokë të gjatë! Pse motrat e mia mund të kenë flokë të gjatë dhe unë nuk mundem?”
Në moshën 13 vjeçare, kisha bar mitzvah tim, që është kur një djalë bëhet burrë – kështu që ishte shumë e vështirë.
Kam disa kujtime pozitive për të, pasi më bënë festë dhe mora shumë dhurata, por koncepti: “Tashmë je burrë”, ishte vërtet sfidues. Ishte një festë që ndjeja se nuk duhet ta kisha.
Nëse doni të kuptoni se sa i izoluar është komuniteti Hasid, deri në moshën 12 vjeç kam menduar se shumica e njerëzve në botë ishin hebrenj, dhe se shumica e hebrenjve ishin ultra-ortodoksë – asnjëra prej tyre nuk është e saktë.
Nuk njihja asnjë aspekt të kulturës pop të viteve ’90 – Britney Spears, ose Seinfeld – As nuk e dija se ekzistonin.
Nuk flisja anglisht deri në moshën 20-vjeçare, thjesht jidish dhe hebraisht. Në shkollë thjesht mësuam ABC-në dhe si t’i shkruajmë emrat dhe adresat tona, dhe kjo zgjati vetëm nga klasa e katërt deri në të tetën, për një orë në ditë – dhe madje edhe ajo orë ndahej midis anglishtes dhe matematikës. Matematika arriti vetëm në niveli fillestar, dhe kurrë nuk prekëm as shkencë ose histori, përveç ndonjë historie hebraike.
Pritshmëria, duke u rritur, ishte që unë të punoja si mësues ose gjykatës rabin.
Nëse drejton një sinagogë ose jep mësim në një shkollë të komunitetin Hasid, të quajnë rabin, pavarësisht nëse je shuguruar apo jo – por unë në të vërtetë doja të shugurohesha. Kishte disa arsye pse.
Një pjesë e saj ishte se doja të dija saktësisht se kundër çfarë po rebelohesha – lufta ime me identitetin tim si grua do të thoshte se vija në dyshim gjithçka që më tregohej për fenë dhe Zotin. Në shkollë, ata më quanin “rebel kosher”.
Në të njëjtën kohë, një pjesë tjetër e imja shpresonte se nëse vërtet i dhuroja veten time, të gjitha këto ndjenjat, se kush isha thjesht do të largoheshin me magji.
Kur isha 16 vjeç, u zhyta në mistikën çifute, të quajtur Kabbalah. Aty gjeta për herë të parë një tekst fetar që justifikonte ekzistencën time.
Në një studim të Shekullit të 16-të për shpirtrat njerëzorë të quajtur Dera e Rimishërimit, lexova: “Ndonjëherë, një mashkull do të rimishërohet në trupin e një femre, dhe një femër do të jetë në një trup mashkulli”.
Më dha shpresë se mbase nuk isha çmendur.
Edhe pse e dija se isha grua, kisha një martesë të rregulluar nga familja si të gjithë në komunitetin Hasid. Ti lind, ha, merr frymë dhe martohesh në moshën 18 vjeçare.
Prindërit e mi e organizuan. Nusja ime duhej të vinte nga një dinasti rabinike dhe t’i përmbahej të njëjtave kode veshjesh, të cilat në familjen time janë jashtëzakonisht të pazakonta – aq shumë sa që ndoshta kishte vetëm 20 deri 50 vajza në të gjithë botën që ishin të pranueshme.
Unë dhe Fraidy u takuam për rreth 15-20 minuta dhe pastaj u fejuan. Ne nuk u takuam më deri në dasmën tonë, një vit më vonë.
Në fillim, gjërat shkuan mirë. Më pëlqeu, ajo është një grua e mahnitshme, me të vërtetë e zgjuar dhe e dashur. Kishim biseda të shkëlqyera, nuk jemi zënë kurrë. Sa i përket martesave të rregulluara, e jona ishin perfekte.
Ishte hera e parë që jetoja me një grua, dhe kjo më pëlqeu. Ajo e ndiqte shumë modën, dhe kur dilnim për të bërë pazar ishte një mënyrë për ta futur veten në këpucë e saj dhe mendoja: “Oh, çfarë do të bleja për vete?”
Burrat Hasid veshin rroba të zeza dhe të bardha me pothuajse asnjë zgjedhje. Gratë mund të eksplorojnë pak më shumë, megjithatë duhet të jenë modeste, dhe ngjyra të caktuara, si e kuqja dhe roza, janë të papërdorshme.
Por kur Fraidy mbeti shtatzënë, unë vuaja. Ishte sikur gjithçka – gjinia, feja, familja ime, im bir – po shembeshin mbi mua dhe po më ndëshkonin.
Ishte sikur gjinia po më godiste në fytyrë, ishte aq e pranishme – çfarë rrobash do të blinim për fëmijën, nëse do ta bënim synet ditën e tetë – ishte e pamundur të mos përballeshim me të çdo sekond.
Lindja e tim biri ishte grushti përfundimtar. Doja t’i jepja fëmijës tim jetën më të mirë të mundshme, por si mund ta bëja këtë, nëse, në moshën 20 vjeç, as që e dija se çfarë ishte “një jetë e mirë”?
Kështu që fillova të navigoja në internet.
E dija që kishte një vend të quajtur internet, ku mund të lidhesh me njerëz dhe të gjesh informacion. Kaq shumë na kishin thënë se si të mos futeshim në internet gabimisht, saqë kisha mësuar rreth Wi-Fi dhe Google.
Huazova tabletin e një miku dhe u fsheha në një tualet në një qendër tregtare që kishte Wi-Fi publik.
Kërkimi im i parë ishte nëse një djalë mund të kthehej në vajzë – në hebraisht, pasi nuk flisja anglisht në atë kohë – dhe në faqen e parë ose të dytë të rezultateve, ishte faqja e Wikipedisë në lidhje me njerëzit transgjinorë. Kjo ishte hera e parë që mësova termin dhe kuptova se kishte njerëz të tjerë që ndiheshin si unë.
Imagjinoni të vuani për diçka, qoftë fizike apo emocionale, dhe shkoni te një mjek apo terapist i cili për herë të parë në jetën tuaj ju thotë: “Oh, ajo që po ndjen quhet XYZ, dhe ja çfarë mund të bësh për tu ndier më mirë, të gjesh vendin tënd në botë.”
Një tjetër zbulim i mahnitshëm ishte se kishte një komunitet njerëzish në internet që kishin braktisur komunitetet ultra-ortodoksë dhe ata hasidë dhe jo vetëm kishin mbijetuar, por kishin lulëzuar.
Disa javë më vonë ndalova së qëni fetar. Nuk mendoj se ishte e dukshme për shumë njerëz, sepse unë ende po jetoja një jetë fetare nga jashtë, por ndalova së binduri – për shembull, fillova të përdor telefonin tim në Shabbat … dhe njerëzit mund ta shihnin.
Gruaja ime ishte personi i parë në komunitet me të cilin fola për këtë, rreth gjashtë muaj pasi bëmë synet djalin tonë.
Nuk dola nga martesa ime. Për një vit, u përpoqëm ta shpëtonim atë, por ishi im u detyrua nga familja e saj të më linte. Jetova në apartamentin tonë për disa javë, duke shpresuar që ajo dhe djali im të ktheheshin.
Pastaj, për pak, u ktheva përsëri tek prindërit. Kur dola hapur tek im atë si ateiste, ai tha: “Pavarësisht se çfarë ndodh, ti je akoma fëmija im.”
Pasi kuptova se nuk kishte mundësi që të jetoja me djalin tim me kohë të plotë, vendosa se nuk kishte asgjë tjetër në bashkësi për mua.
Largimi është si të emigrosh – jo vetëm në një shtet të ri, por në një kontinent të ri. Është një shekull i ri. Është koha të udhëtosh!
Papritur, u gjeta në një botë ku kishte mundësi të pakufizuara për ushqim dhe veshje. Bleva xhinset e para dhe një këmishë të kuqe me të bardhë. Asnjëherë nuk kam marrë vesh nga moda mashkullore.
Gjuha ishte pengesa më e madhe për të kapërcyer, sepse kur të rritesh në New York, njerëzit presin që të flasësh anglisht.
Im atë e pranoi që njerëzit transgjinorë ekzistojnë, gjë që ishte shumë mbresëlënëse, sepse shumë bashkësi fetare fondamentaliste nuk e pranojnë këtë gjë.
Më pas më tha: “Të duhet një person që ka Frymën e Shenjtë, që të të thotë nëse je vërtet trans.”
Reagimi im ishte: “Mendoj se dy terapistë dhe një mjek mjaftojnë.”
Por ai sigurisht nuk ishte dakord me mua, dhe disa minuta pas kësaj ai pak a shumë më tha që nuk do të fliste kurrë më me mua.
Në atë moment, vërtet u lëndova. Por realiteti ishte se në kohën kur dola hapur, tashmë kishin kaluar tre vjet që kisha lënë komunitetin Hasid. Isha regjistruar në universitet dhe isha anëtare e disa komuniteteve jashtëzakonisht përparimtare hebrenjsh dhe queer – kështu që nuk humba asnjë shok dhe jeta ime nuk ndryshoi nga grindja me familjen time.
Për tre vjet nuk fola me askënd nga familja në lidhje me gjininë time. Unë dola hapur tek im atë më 11 nëntor 2015, disa muaj më pas fillova terapinë me hormone.
Tim eti iu desh rreth një orë për të kuptuar ato që i thashë, dhe kjo falë disa teksteve fetare që i tregova – një prej të cilëve ishte pasazhi për shpirtrat mashkullorë dhe femërorë që kisha zbuluar kur studioja Kabalën, Misticizmin hebre.
Ish-gruas time nuk i lejuan të fliste më me mua nga momenti që u ndamë. Djali im është dashuria e jetës sime.
Më pëlqen të përqëndrohem në pozitiven e situatës: në vend që të mendoj për 10 motrat dhe vëllezërit që nuk flasin me mua, përqendrohem tek ata të dy që më flasin. Gjithsesi, shumica e njerëzve që njoh ditët e sotme jashtë komunitetit Hasid kanë vetëm dy motra ose vëllezër.
Jeta në të vërtetë është shumë më e mirë nga sa mund ta imagjinoja. Kam luftuar me depresionin pothuajse pa ndalesë gjatë jetës time. Që kur dola hapur, nuk kam pasur asnjë ditë që të zgjohem dhe të ndiej se nuk ka asnjë arsye për tu zgjuar. Para se të bëja tranzicionin, kishte ditë që të ndihesha ashtu.
Të qenit hapur si vetvetja, të qenit trans, të qenit LGBTQ, është diçka që krijon një jetë të denjë për ta festuar, jo vetëm të denjë për ta jetuar. Është e mrekullueshme.
Unë isha personi i parë në komunitetin Hasid që dola hapur si transgjinore, por që atëherë shumë të tjerë kanë dalë hapur, dhe padyshim, unë fajësohem për këtë.
Përfundimisht mendoj se mund të marr disa merita për këtë – komuniteti Hasid nuk do të jetë më i njëjti.
Burimi: bbc.com
Përktheu: Alba Ahmetaj