Hungaria konsideron ligje që u heq të drejta njerëzve për të ndryshuar gjininë

Qeveria e djathtë Hungareze e udhëhequr nga Viktor Orban, ka vendosur të vazhdojë me një legjislacion që u mohon personave transgjinorë që të përcaktojnë gjininë e tyre ligjërisht.
Legjislacioni i propozuar do ta përcaktojë gjininë si “seks biologjik i bazuar në karakteristikat parësore të seksit dhe kromozomeve”, duke e bërë të pamundur që njerëzit të ndryshojnë ligjërisht gjininë e tyre.
Aktivistët hungarezë për të drejtat e transgjinorëve thonë se legjislacioni do të rrisë intolerancën dhe diskriminimin ndaj individëve transgjinorë. Ata thonë se shumë do të përpiqen të largohen nga vendi, ndërsa ata që nuk munden, do të poshtërohen çdo ditë.
Ivett Ordog, një grua 39-vjeçare transgjinore që jeton në Budapest tha:
“Në Hungari, duhet të tregoni Ikartën e identitetit për të marrë me qira një biçikletë, të blini një abone ose të tërhiqni një pako në zyrën postare. Që në thelb do të thotë të dalësh hapur si transgjinor/e tek të huajt gjatë gjithë kohës. Versioni i mirë është që ata të mos e kenë problem këtë, por ka situata kur njerëzit bëhen mjaft armiqësorë.”
Deputeti i pavarur Bernadett Szel e përshkroi ligjin si “të keq” dhe “një hap prapa në kohë”. Gjatë një seance dëgjimore për ligjin e propozuar, ajo u përpoq të lexonte një letër nga personat transgjinorë që përshkruan se sa i dëmshëm do të ishte ligji, por asaj ia morën fjalën dhe letra u quajt “e parëndësishme”.
Ligji gjithashtu do të targetojë edhe ata që e kanë bërë tashmë një ndryshim ligjor, dhe tani jetojnë me një gjini që nuk përputhet me “seksin e tyre të lindjes”.
Ekspertët thonë se ligji është një shkelje e qartë e praktikës gjyqësore Evropiane për të drejtat e njeriut dhe mund të kundërshtohet në gjykatën supreme hungareze dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Qeveria e Orban është bërë gjithnjë e më armiqësore ndaj komunitetit LGBTIQ gjatë viteve të fundit. Ai ka përdorur gjuhë diskriminuese, ka thënë që martesa heteroseksuale preferohet dhe ka krahasuar homoseksualitetin me pedofilinë.
Hungaria po quhet nga shumë, si demokracia e parë viktimë e COVID-19. Parlamenti hungarez aprovoi para pak ditësh një propozim të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e pushtetit të plotë kryeministrit Viktor Orban për menaxhimin e krizës. Me masat e reja, Orban mund të anashkalojë parlamentin, duke udhëhequr me dekrete për një kohë të pakufizuar.
Edhe Parlamenti Evropian, përmes komisionit të lirive civile, i cili shprehu shqetësimin e vendeve të BE për shtimin e masave të gjendjes së emergjencës dhe propozimet për ndryshime në kodin penal hungarez, i cili lehtësisht mund të përdoret dhe për qëllime politike.
“Të gjitha shtetet anëtare janë përgjegjëse për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, drejtësisë përmes ligjit dhe parimeve demokratike, pavarësisht kohërave të vështira.” shkruhet në reagimin e PE.
Burimi: exit.al/en